AktualitetKosovaTë fundit

LDK bën program qeverisës pa pritur vendimin e kushtetueses

Kandidati i mandatuar për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar programin qeverisës para Grupit Parlamentar të partisë së tij në Kuvendin e Kosovës.

Ky lloj prezantimi shihet si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese e cila deri në fund të muajit maj duhet të vendos nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo kuvendi mund ta bëjë një qeveri pa partinë më të madhe, Lëvizjen Vetëvendosje.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentitThaçi deri më 29 maj. Thaçi ka mandatuar Hotin për të krijuar qeverinë e re pasi qeveria Kurti u rrëzua nga një mocion i mosbesimit.

Analisti politik, Valmir Ismaili, drejtor i organizatës Demokraci Plus, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe veprimet e LDK-së, me rastin e prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës janë një lloj presioni mbi Gjykatën Kushtetuese.

“Për shkak të rrethanave që janë krijuar dhe për shkak të ambientimit që është krijuar që Gjykata Kushtetuese është në një presion të tillë, atëherë edhe LDK-ja, nuk do të duhej të bënte një prezantim të tillë së paku nuk ka pasur nevojë që ta bëjë publik. Normalisht që ata do të duhej t’i bënin përgatitjet sepse nëse vendimi i gjykatës është në favor të tyre, ata duhet të jenë të përgatitur për të marrë qeverisjen”, tha Ismaili.

Gjykata Kushtetuese thotë se është nën presion

LDK nuk është e vetmja që tërthorazii bën presion kësaj gjykate.

Të martën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

Ismaili thotë se LDK-ja, mund të punojë në drejtim të harmonizimi të programit të mundshëm qeverisës, por aktivitete nuk është dashur t’i prezantoj në Kuvendin e Kosovës.

“Është bërë brenda një institucioni shtetëror, është bërë brenda Kuvendit të Kosovës. Mediet e kanë kuptuar dhe dikush e ka dhënë një lajm të tillë dhe për ketë arsye mund të jetë një shenjë që ata dëshirojnë ta dërgojnë te Gjykata Kushtetuese, pra mund të interpretohet si i tillë edhe pse LDK-ja ka thënë se do ta pranojë vendimin e gjykatës”, tha Ismaili.

Deputetët e LDK-së, kanë kundërshtuar ashpër deklarimet se me prezantimin e programit qeverisës, janë duke bërë presione mbi Gjykatën Kushtetuese. Arban Abrashi, tha se ata nuk janë duke bre asgjë tjetër veçse duke kryer punët dhe përgjegjësitë që kanë.

“Unë mendoj se kjo nuk është presion dhe nuk ka të bëjë fare me vendimet dhe punën e Gjykatës Kushtetuese. Ne thjesht po përpiqemi që të mos humbim kohë sepse çdo ditë e humbur tani pa qeverisje ose një qeverisje në largim është dëm i madh ekonomik dhe atë po e shohim çdo ditë”, tha Abrashi.

I dekretuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se zgjedhja e qeverisë së re do të ndodhë në mënyrë demokratike dhe votimi i saj nuk do të përbëjë “cenim të Kushtetutës”./REL

 

Fraksion.com