AktualitetPolitikëTë fundit

“Hiqni kapelet”; Lleshaj: Kujtoni 12 marsin e 1997 kur vendi nuk kishte polici

Ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj në foltoren e seancës plenare të së enjtes u shpreh se çështja e Teatrit Kombëtar nuk duhet të politizohet.

Gjatë fjalës së mbajtur, Lleshaj tha se një nga prioritet e tij si ministër është që Policia e Shtetit të mundësojë që shteti shqiptar të mos rrëzohet sa herë që grupe të caktuara kanë një axhendë polike.

Ai po ashtu, iu përgjigj edhe thirrjeve “hiqini kapelet’ të aktivistëve të “Aleancës për Teatrin” drejtuar Policisë së Shtetit.

“Teatri po ngatërrohet me politikën. Kalimi i njerëzimit nga gjendja natyrore në gjendjen shoqërore, ku dhuna hiqet nga shoqëria dhe i delegohet një strukture të specializuar është një nga momentet kryesore që e kalojnë njerëzimin nga barbaria te kultura. Nuk mund të ketë kulturë përsa kohë kemi dhunë. Diskutimet e fundit kanë targetuar Policinë e Shtetit, një diskutim për kulturën duke e shndërruar në një absurd konceptual, policia është parakusht që ekonomia, kultura të zhvillohet. E pafalshme dhe tragjike që policia të ndodhet në mes të diskutimit për kulturën. Një nga prioritet e mëdha që ndjek unë në detyrën time është që me Policinë e Shtetit të mundësojmë që shteti shqiptar të mos rrëzohet sa herë që grupe të caktuara kanë një axhendë politike. Çfarë duhet të bënte policia në 17 maj, gjatë protestave të dhunshme të vitit 2011, gjatë tërmetit të 2019-ës, gjatë pandemisë së 2020-ës? Po në 17 maj? Përgjigja ishte ‘hiqni kapelen’ Policisë së Shtetit pasi dua të realizoj një qëllim që nuk e realizoj dot në mënyrë demokratike, ky ishte mesazhi. Kjo është të kthehemi shumë mbrapsht”, tha ministri.

“Nuk e di nëse ata që e artikulojnë pa turp thirrjen ‘hiqni kapelen’ për Policinë e Shtetit, a e mendojnë qoftë një ditë Shqipërinë pa të. Le të kujtohet 12 marsi i 1997-ës kur vendi nuk kishte policisë. I hoqën kapelet dhe ndodhi ajo që ndodhi, ndaj do të doja që të kishte një reflektim të madh jo vetëm politik, por edhe shoqëror. Në datën 17 maj pati konfrontime midis protestuesve dhe Policisë. Në datën 17 maj, kronika ka regjistruar 7 punonjës policie, të cilët kanë përfunduar në spital të plagosur, me plagë të lehta, por të gjakosur. Nga kush? Nga ata që duan të na kthejnë dhe të na vendosin kulturën! Ose në thelb, antikulturën në këtë mënyrë. Kjo nuk është kulturë, kjo është antikulturë. Nuk kam të dhëna që pati të lënduar nga protestuesit, pati të ndaluar të shoqëruar në Komisariat. Po, pati se duhet ta kemi të qartë, nëse e kemi vendosur për të jetuar së bashku, ajo që na bën bashkë është ligji dhe Kushtetuta. Kundërshtimi i policisë është vepër penale, duhet të jemi të gatshëm të pranojmë konsekuencat e këtij veprimi”, deklaroi ministri Lleshaj.

 

Fraksion.com