AktualitetKosovaTë fundit

Osmani: Përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte “hap prapa”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur kundër përfshirjes së Rusisë në dialogun për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtë qëndrim Osmani e shpalosi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u shqyrtua miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme të Kryesisë.

Osmani tha se përfshirja e Rusisë në dialgoun midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte “hap prapa për Kosovën”.

“Në vitin 2010 kur Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka vendosur si të procedohet për dialogun Kosovë-Serbi, absolutisht ka përjashtuar një format ku do të ishte pjesë edhe Rusia”, tha Osmani.

Nëse vendi kthehet në formate ku Rusia ka zë dhe rol aq sa ka pasur para pavarësisë së Kosovës, Osmani tha se, “Besoj që kthehemi mbrapa. Kthehemi mbrapa edhe politikisht, jo vetëm në aspektin teknik të formatit”.

“Rusia deri më sot e ka dëshmuar që qëllimin e vet në Ballkan e ka destabilizimin e këtij rajoni. Pra nuk ka qëllim paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e asnjërit shtet. Për fat të keq Serbia akoma qëndron me sy nga Evropa por kokën, mendjen, zemrën por edhe veprimet i ka të koordinuara vetëm me Rusinë. Kjo është një çështje që Bashkimi Evropian do të duhej ta trajtonte me seriozitet sidomos në dritë të bashkëpunimit ushtarak që Serbia e ka çdo ditë e më të madh me Rusinë dhe të bindet që as Rusia dhe as Serbia nuk e kanë për qëllim stabilitetin dhe paqen e rajonit”, tha Osmani.

Para disa ditësh, ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, ka thënë për mediat serbe se Moska është e gatshme të përfshihet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë nëse Beogradi e kërkon këtë gjë.

 

Fraksion.com