AktualitetTë fundit

Ndahet nga jeta Prof.Dr. Maksim Cikuli, ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-ministri i Mjedisit

Ndahet nga jeta ish-ministri i shëndetësisë dhe mjedisit, zyrtari i lartë në PD dhe themeluesi i gjenetikës shqiptare profesor Maksim Cikuli.

Cikuli është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 68- vjeçare, ndërsa ka mbajtur dhe poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së PD si ish ministër i Shëndetësisë dhe ish ministër i Mjedisit. Ai ishte profesor doktor i specializuar në fushën e gjenetikës duke dhënë kontributin e tij në këtë fushë, ndërsa si politikan  shërbeu në poste të rëndësishme në qeveritë e Partisë Demokratike.

I lindur në Korçë në vitin 1952, Cikuli shërbeu si Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit. Ai ka qenë pjesë e forumeve drejtuese të PD që prej vitit 1994, si anëtar i kryesisë së PD, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe dy herë deputet në legjislaturën e viteve 1996 dhe atë të vitit 2001.

Në vitet 1974-’79 ka punuar si mjek i përgjithshëm ne Minierën e Bakrit të Gjegjanit. Në 1979-’81 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë. Nga viti 1984 e në vazhdim ishte pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë.

Për sa i takon karrierës pedagogjike dhe shkencore, në vitin 1986 ka qenë kandidat i Shkencave Mjekësore. Në vitin 1989 ka mbrojtur titullin docent në fushën mjekësore dhe në 1994-ën profesor në këtë fushë.

Gjatë periudhës 1992-’94 ka qenë shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në vitin 1993-’94 ka qenë drejtor i QSUT “Nënë Tereza”. Nga viti 2001 e në vazhdim Shef i Departamentit të Pediatrisë. Është autor i disa teksteve për studentë dhe pasuniversitarë dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë mjekësorë në shtypin shqiptar dhe të huaj.

Në karrierën politike, nga viti 1994 e në vazhdim është Anëtar i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike. Në vitet 1994-1997, 1997-2000 dhe nga viti 2005 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Në periudhën 1994-1997 ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit. Në vitet 1996-2001 ka qenë deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura.

 

Fraksion.com