AktualitetPolitikëTë fundit

Shembja e Teatrit/Basha: Do mbledhim koalicionin për të ndërmarrë veprimet politike

Opozita jo parlamentare, grupi i artistëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar si dhe aktivistët e shoqërisë civile, po protestojnë sot para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Ata kanë tentuar të thyejnë perimetrin e sigurisë të vendosur nga Policia e Shtetit teksa punonjësit e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit po vijojnë me prishjen e godinës prej tallashi të Teatrit Kombëtar.

Policia ndërhyri menjëherë duke e mos lejuar që kordoni të kalohet nga protestuesit, aktivistët si dhe përfaqësues të opozitës jo parlamentare.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i cili shkoi në mbështetje të protestuesve tha se PD-ja me aleatët do të marrin vendime politike.

Sipas tij, u dhunuan artistë të rinj të pafajshëm e drejtues të opozitës sepse shkuan në ndihmë të grave që po dhunoheshin.

“ Tani që flasim kryetari i Forumit Rinor ndodhet i shoqëruar në komisariatin nr 6 edhe ai i dhunuar. Dhunë barbare, paligjshmëri dhe siç shikoni këtu kanë sjellë po aq, mos më shumë polici se gjatë protestave të opozitës. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që këta policë duhet të ishin në shërbim të qytetarëve”, tha Basha.

Ai tha se “koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”.

Basha u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndjekin në rrugën politike.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha për mediat pas shembjes së godinës së teatrit se “sot u shkatërrua historia”.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos e njohin më shtetin e Edi Ramës. Veliaj dhe Rama sot kanë shkatërruar historinë”, tha ajo.

 

Fraksion.com