AktualitetTë fundit

“Neritan Liçaj me pranga në duar dhe lot në sy”; Reagimet e artistëve pas shembjes së Teatrit, Budina: Meta të vijë këtu dhe të shpërndajë parlamentin

Regjisori Edmond Budina lëshoi akuza të forta në drejtim kundër qeverisë pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai i bëri thirrje Presidentit që të shpërndajë parlamentin. “Sot përfundimisht u vendos diktatura në Shqipëri. Shteti i krimit ndërhyri duke tërhequr zvarrë qytetarët. Shokët tanë janë masakruar. Ky është akt i turpshëm. Kur u shemb ishin 10 veta brenda, Neritan Liçaj mes tyre.

I bëj thirrje KE-së dhe popullit ta kuptojë se në cfarë gjendje është. Duhet të ngrihemi të gjithë. Zoti Soreca na keni dhënë fjalën se do të veproni, turp! Jam nënshtetas italian dhe si qytetar europian nuk mund ta pranoj këtë.

Dhe ambasadorja amerikane që bëri shoë me Edin dhe tani u shkatërrua. Unë i akuzoj të gjithë. Ky shtet është kriminal. I bëj thirrje presidentit. Në 2 mars ishim në shesh, është momenti të shpërndajë parlamentin ilegjitim. U gjendëm në befasi kur erdhën. Kush do të vijë në pushtet do të bëjmë të mundur që ky teatër të bëhet sikur gjë. Hynë me armë luftarake. Mafizoët dalin nga burgjet” tha ai.

Aktivistja e aleancës për teatrin: Do të pushtojmë ambasadën amerikane nëse nuk prononcohet

Aktivistja e aleancës për teatrin, juristja Adriana Kalaja e revoltuar për shembjen e godinës përpos akuzave për pushtetin kishte një thirrje për ambasadën e SHBA-së në Tiranë. “Na kanë nxjerrë zvarrë dhe kanë përzënë mediat. Një mijë policë erdhën për 5 minuta. E papranueshme. Ambasadores së Amerikës ose dil prononcohu për këtë krim, ose ne do të pushtojmë ambasadën e Amerikës. Është e papranueshme” tha ajo.

I përlotur aktori Mehdi Malkaj: Populli është në gjumë, hienat e shembën Teatrin

Aktori Mehdi Malkaj i përlotur për prishjen e Teatrit Kombëtar shprehet se tashmë Shqipëria është në diktaturë. “Këta janë hiena, është një shtet karagjoz. Këta janë të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Iku një histori e bukur, historia e Teatrit. Iku, populli shqiptar tani është në gjumë, nuk e di se çfarë të them, nuk kam fjalë. Unë jam krenar për veten time dhe për miqtë e mi, që kanë qëndruar aty për dy vite me radhë, shikoni more e kanë rrëzuar, këta janë grabitqarë more, se këta dhe kur vjedhin i vënë benzinën që të mos mbetet më asnjë gjë” tha ai.

Flutura Açka akuzon Monika Kryemadhin për tradhti: Na tha ikni se s’ka nevojë për ju

Shkrimtarja Flutura Açka ka akuzuar kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, se i ka tradhtuar dhe ka lejuar me qëllim prishjen e Teatrit Kombëtar.

“Më falni, si tha mbrëmë: Mos u afroni, nuk ka nevojë për 1000 vetë, as për 100 vetë.

Ishte vërtet thirrja e duhur për këtë natë të bardhë vizitash dhe ditë të zezë pabesie.

Qetësia me të cilën e tha, nuk u ngjante atyre të mitingjeve, ishte zbutëse, qetësuese, shëruese…”, shkruan shkrimtarja Açka, një prej kundërshtuesve të prishjes së Teatrit Kombëtar.

Në lot dhe me pranga në duar, Neritan Liçaj: Kam 25 vite aty, çfarë po bëni? 

Report Tv siguron pamjet e momentit kur aktori Neritan Liçaj shoqërohet në komisariat nga policia e Tiranës . “Çfarë po bëni more, çfarë po bëni? Kam 25 vite aty” dëgjohen fjalët e Liçaj, teksa policët e fusin në furgon për ta çuar në komisariat.