AktualitetKosovaTë fundit

Kurti për shembjen e Teatrit: Arkiva e një populli duhet të mbahet e paprekur

Kryeministri në detyrë në Kosovë, Albin Kurti ka reaguar ashpër në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë duke akuzuar kryeministrin Rama se e shembi për shkak të interesave të përkohshme dhe shijeve personale duke mohuar kulturën dhe historinë që ajo mbante në vetvete.

Kurti përshëndeti rezistencën e artistëve dhe qytetarëve që mbrojtën teatrin deri në këto momente, ndërsa theksoi se arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet.

“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb 1 200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional. Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli. Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave. I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, shkruan Kurti.

Fraksion.com