AktualitetTë fundit

Qëndresa para Teatrit Kombëtar; Licaj: Rama e Veliaj gangstera që po përçajnë artistët

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për të tretën natë radhazi vijon të qëndrojë e ngujuar në godinën e Teatrit Kombëtar për të mos lejuar shembjen e saj. Qëndresa e tyre ka filluar para një viti për të mos lejuar prishjen e godinës duke sjellë tensione dhe përçarje edhe mes vetë artistëve. Gjatë orëve të mbrëmjes janë shfaqur dhe eksponentë të opozitës nga PD dhe LSI në mbështetje të artistëve, të cilët shprehen se nuk do të lejojnë që teatri të prishet edhe pse këtë deklaratë e kanë bërë me shumë kauza të tjera.

Me vendimin e marrë në Këshillin Bashkiak më 14 maj për shembjen e godinës së teatrit, i pari që u shfaq krahë aktorëve ishte Lulzim Basha, i cili tha se teatrit është vija që nuk duhet të kalohet nga qeveria dhe se do e gdhinte me artistët për mbrojtjen e kauzës së tyre. Në fakt ‘mbrojtja’ e tij zgjati vetëm 3 orë dhe u largua. Me pas dezhurni i takoi Monika Kryemadhit, e cila tha se falë saj që qëndroi syhapur gjithë natën nuk lejoi forcat e policisë bashkiake të hynin brenda në godinë.

Në mbrëmje të pranishëm në godinën e Teatrit Kombëtar ishin edhe Gazmend Bardhi, Albana Vokshi dhe  Monika Kryemadhi, të cilët dhe janë gjobitur për shkelje të rregullave anticovid për lëvizjen jashtë orari dhe grumbullime masive të njerëzve.

Të vetmit që qëndrojnë aty pa lëvizur janë artistët që mbarojnë me forcë godinë e teatrit dhe hedhin akuza ndaj qeverisë. Aktori Neritan Licaj gjatë fjalës së tij të mbajtur në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, u shpreh se të gjitha ata politikanë që kërkojnë shembjen e teatrit do të kenë fundin e tyre politik. Licaj tha se parimi i përçarjes dhe sundimit me dhunë është e vetmja qeverisjen vendin tonë dhe këtë filozofi po e ushtrojnë edhe me artistët.

“Kanë shkelur Kushtetutën dhe kjo është një tragjedi. Po luajnë me emrat e heronjve kombëtarë. Ata duan të përçajnë komunitetin e artistëve. Ata përçajnë, sepse kështu duan të sundojnë. Duan të sundojnë me dhunë. Nuk kanë fytyrë e nuk kanë për të pasur për sa kohë që nuk janë me popullin. Jemi në diktaturë. Duhet të ngrihemi sepse kështu nuk vazhdohet më. Nëse rrëzojmë këta dy gangsterë, janë gangsterë, sepse ata veprojnë me dhunë, nuk do kemi frikë as në të ardhmen”, u shpreh Licaj.

 

Fraksion.com