“Kushte të frikshme sigurie”; Blendi Gonxhe, foto të Teatrit Kombëtar: T’ia kursejmë Shqipërisë një tjetër plagë
Gonxhe thotë se çdo përgjegjësi për mungesën e komunikimit, dialogut, mirëkuptimit, dëgjesave publike, gjithëpërfshirjes në procesin e konceptimit të varianteve të një projekti të ri për Teatrin Kombëtar duhet të dalë sot si mësim për të gjitha institucionet, për vetëkorrigjim e autokritikë, por sipas tij, duhet kurajo për të mbajtur koston politike përkatëse.
“Godina aktuale, planimetria, volumet, ngritur 80 vite më parë për një qytet 40 herë më të vogël si numër banorësh, 100 herë më pak të interesuar për artin se sot, si stil, materiale, arkitekturë nuk ofrojnë asnjë vlerë fizike, forme, copëz a detaj konstruksioni a bukurie urbane, asnjë detaj interiori a fasade me vlerë unikale, përkundrazi këto struktura mbeten me rrezik shumë të lartë zjarri e kushte të frikshme sigurie për publikun, si edhe rrezik e stres për artistët e gjithë personelin mbështetës. E vetmja vlerë e mbetur është pozicioni në hartë, afër ansamblit të ministrive, përballë GKA dhe buzë pedonales, ndaj Teatri i ri për mendimin tim (modest) duhet aty! Në hollet e tij mund të ketë muze virtual mbi të vjetrin e kujtesat mund të rievokohen”, u shpreh ai.
Më tej, ai theksoi se “çdo përgjegjësi për mungesën e komunikimit, dialogut, mirëkuptimit, dëgjesave publike, gjithëpërfshirjes në procesin e konceptimit të varianteve të një projekti të ri për Teatrin Kombëtar duhet jo vetëm të dalë sot si mësim për gjithë institucionet, për vetëkorrigjim e autokritikë madje kujt i takon, por duhet të kemi kurajon të mbajmë koston politike përkatëse dhe t’i vëmë gishtin kujt t’i takojë për menaxhimin që lë për të dëshiruar në raport me pjesë të komunitetit të artistëve por edhe për këtë përkeqësim humori e ngarkesë atmosfere me zhurmë, fyerje, fjalor të rëndë, mallkime, kërcënime që çdo orë e më shumë i largon palët dhe vështirëson arritjen e një mirëkuptimi! Nuk është kurrë vonë apo keq të thuash më fal! Projekti është yll por procesi nuk u administrua siç duhej!”.
“Shteti ynë investohet të kemi një vepër moderne, superfunksionale, një institucion që ndoshta se ka asnjë kryeqytet tjetër në rajon e më gjerë, në kushte ekonomike të goditur nga dy emergjenca e fatkeqësi natyrore, dhe në vend ta festonim me gëzim këtë fakt, fat, ne po përplasemi me njëri-tjetrin, brenda situatës COVID-19 edhe duke rrezikuar shëndetin e dhënë shembull jo pozitiv për rihapjen e ekonomisë e jetës që do bërë me masa strikte kujdesi e vetëmbrojtjeje!?!”, vijoi Gonxhja.
Sipas tij, revolta, sado e stisur edhe politikisht apo sado e përdorur qëllimisht politikisht, ka një shkak ose bazë që do sqaruar për te gjithë publikun.
‘Përse tërë ky vrer, shpesh dhe kolegu me kolegun, deri dje aktorë a regjisorë të një krijimi artistik, tërë këto sharje live, kjo gjuhë herë e kobshme e herë dhunuese, përse kjo gjaknxehtësi ekstreme, kjo luftë? Është gabuar në faza të caktuara dhe nuk është treguar kujdesi i duhur për gjithë ndjeshmëritë e njëri-tjetrit? Është nxituar nga dëshira të modernizohemi pa dëgjuar e shteruar çdo kundërshti e pikëpyetje? Patjetër që revolta, sado e stisur edhe politikisht apo sado e përdorur qëllimisht politikisht, ka një shkak ose bazë që do sqaruar, në mos për vetë Teatrin, për gjithë publikun! Nëse ka përgjegjësi, t’u dilet për zot, t’u kërkohet ndjesë që të jepet dora, të mos ekstremizohet më tej kjo klimë edhe kaq mjaftueshëm e rënduar nga dy fatkeqësitë natyrore dhe kur shoqëria sot ka nevojë për shpresë, energji pozitive, optimizëm e frymëzim për një ringritje”, theksoi ai.
“Le të kemi një Teatër të ri Kombëtar, modern, funksional e të sigurt për aktivitete kulturore e flukse në kushtet e një kryeqyteti kaq të gjallë e kaq shumë të vizituar, një Tirane me rreth 1 milion banorë, që çdo vit rritet me po aq rezidentë të ri sa ç’kishte gjithsej në 1938-ën, të projektuar nga një prej emrave botërorë të arkitekturës (si një garanci shtesë urbanistike) e të festojmë të renë! Mjafton një krahasim mes gjendjes aktuale dhe një demo-je të hapësirave të reja brenda e jashtë, dhe një prezantim më i plotë i projektit, për t’a kuptuar se sa shumë përfiton institucioni i Teatrit Kombëtar dhe se sa dëm po i shpenzojmë energjitë tona. Teatri i ri s’do jetë disfata e askujt, por tempulli më i ri i artit skenik për Tiranën! Bashkia duhet të jetë faktor përafrimi me komunitetin, ky rol e bën aksionerin publik më me rëndësi! Le t’i thërrasim arsyes, edukatës, argumenteve, të mos “vrasim” NUSEN se nuk qenka e virgjër! Të emancipohemi”, u shpreh Gonxhe.
“T’ia kursejmë Shqipërisë një tjetër plagë”, përfundon ai.