AktualitetBota+Të fundit

Ku e ka origjinën Obamagate?

Akuzat që ka ngritur prej kohësh Presidenti Donald Trump për akte të paligjshme nga pararendësi i tij, Barack Obama, kanë marrë tani nofkën: Obamagate, frymëzuar nga skandali Watergate, që solli rrëzimin nga posti të Presidentit Nixon.

Tani Presidenti Trump dhe aleatët e tij kanë ngritur pretendimin se në ditët e fundit të administratës Obama, zyrtarët demokratë në këtë administratë thurën intriga për të zënë në grackë këshilltarin e zotit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, në kuadër të një plani më të madh për të penguar zotin Trump të bëhej president.

Kjo teori konspiracioni mori përmasa të reja pasi Departamenti i Drejtësisë javën e kaluar filloi procesin për të liruar nga akuzat penale zotin Flynn, duke thënë se FBI-ja nuk kishte pasur baza të mjaftueshme ligjore për të hapur hetime kundër tij lidhur me bisedat që ai zhvilloi në 2016 me ish-ambasadorin rus në Uashington, Kisliak.

Departamenti i Drejtësisë nxori një numër regjistrimesh që hedhin dritë mbi një proces të mëparshëm të hapur nga administrata Obama lidhur me veprimet e Gjeneralit Flynn. Presidenti Trump reagoi duke thënë se zoti Flynn ishte shënjestruar në mënyrë të paligjshme dhe se vendimi për të hapur hetime kundër tij e kishte zanafillën tek Presidenti Obama.

“Krimi më i madh politik në historinë amerikane,” shkruante Presidenti Trump në Twitter të dielën, duke e quajtur “Obamagate”.

Shumë shpejt termi “#Obamagate” u përhap përmes rrjeteve sociale e mediatike dhe teoria e vjetër konspirative u ringjall.

I pyetur të hënën të shpjegonte se çfarë krimi kishte kryer Presidenti Obama, zoti Trump tha vetëm “kanë ndodhur gjëra shumë të këqia që nuk duhet të lejohen kurrë në këtë vend”.

Presidenti Obama është një objekt i preferuar dhe i shpeshtë sulmesh për Presidentin Trump.

Duket që presidenti Trump po përpiqet të implikojë në teoritë e konspiracionit edhe ish-nënpresidentin dhe aktualisht kandidat për president, Joe Biden.

Origjina e Obamagate

Në thelb, Obamagate është një teori e vjetër me emër të ri.

Në mars 2017, Presidenti Trump akuzoi pararendësin e tij se kishte vënë pajisje përgjuese për të regjistruar në mënyrë të paligjshme bisedat në banesën e tij në Nju Jork gjatë fushatës presidenciale në 2016, duke thënë se këto veprime i përngjanin skandalit Watergate të kohës së Presidentit Nixon. Një vit më pas, Presidenti Trump ngriti pretendimin se FBI-ja kishte dërguar një informant që kishte infiltruar në fushatën e tij.

Akuza kryesore për Obamagate është se ish-presidenti kishte dhënë urdhër për hetime kundër Michael Flynn, megjithëse FBI-ja nuk kishte arsye të mirëfilltë për të hapur hetime. Flynn, i cili më parë ka qenë demokrat, pat shërbyer në administratën Obama si kreu i operacioneve të zbulimit ushtarak, para se të shkarkohej nga detyra dhe më pas të fillonte punë në fushatën e zotit Trump.

Zoti Flynn ishte nën hetime dy herë: në 2016 dhe 2017, herën e parë lidhur me dyshimet për lidhje mes fushatës Trump dhe Rusisë, më pas për një seri bisedash me ish-ambasadorin rus në Uashington, gjatë të cilave këshilloi që rusët të mos ndërmerrnin masa në kundërpërgjigje të sanksioneve të administratës Obama kundër Rusisë, duke lënë të kuptohet se presidenti Trump do t’i eliminonte sanksionet.

Takime në zyrën presidenciale

Në qendër të akuzave Obamagate është takimi mes Presidentit Obama dhe ekipit të tij të sigurisë kombëtare më 5 janar 2017, dy javë para se Donald Trump të merrte detyrën e presidentit.

Takimi u zhvillua një ditë pasi FBI-ja mbylli zyrtarisht hetimet lidhur me dyshimet se Flynn kishte pasur lidhje me rusët, por para se të vendoste që hetimet të mbaheshin të hapura dhe Flynn të hetohej për telefonatat me ish-ambasadorin rus.

Zyrtarë të zbulimit informuan Presidentin Obama për rezultatin e procesit. Në fund të mbledhjes, presidenti i kërkoi drejtorit të FBI-së James Comey dhe Zv/Prokurores së Përgjithshme Sally Yates të qëndronin pak më gjatë, pas largimit të tjerëve. Në dhomë ishte edhe nënpresidenti Biden dhe këshilltarja për sigurinë kombëare Susan Rice.

Sipas zonjës Yates në një intervistë në 2017 para ekipit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, Presidenti Obama kishte thënë se “kishte mësuar se kishte informata për Flynn” dhe për bisedat e tij me ish-ambasadorin rus lidhur me sanksionet kundër Rusisë.

Zonja Yates tha se ajo vetë nuk ishte në dieni të këtij informacioni megjithëse ishte zyrtarja numër 2 në Departamentin e Drejtësisë dhe mbikqyrte FBI-në.

Sipas zotit Comey në dëshminë e tij para Komisionit të Zbulimit, ai kishte njoftuar drejtorin e CIA-s John Brennan sapo kishte mësuar për bisedat e zotit Flynn me ambasadorin rus dhe më pas Brennan kishte informuar zotin Obama.

Yates më pas tha se Presidenti Obama kishte thënë se nuk donte hollësi të hetimit, por donte të dinte “nëse Shtëpia e Bardhë duhet ta trajtonte Flynn ndryshe” në ditët që i mbeteshin administratës Obama.

Zonja Yates nuk mbante mend si ishte përgjigjur drejtori i FBI-së, James Comey.

Ndërkaq, ish-këshilltarja për sigurinë kombëtare, Susan Rice kishte cituar një email që i kishte dërguar vetes në ditën e fundit të administratës ku shkruante se Presidenti Obama kishte theksuar që “ekipi i zbatimit të ligjit duhet të veprojë siç do të vepronte në çdo rast tjetër, në bazë të ligjit”.

Zonja Yates dhe ish-zyrtarë të tjerë i kanë dalë në mbrojtje procesit hetimor kundër Michael Flynn. Por fakti që mbledhja në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua një ditë pasi FBI-ja kishte vendosur t’i mbyllte hetimet kundër zotit Flynn dhe fakti që Presidenti Obama ishte në dieni të telefonatave të zotit Flynn me ish-ambasadorin rus, ka bërë që Presidenti Trump, komentatorë konservatorë dhe avokatët e zotit Flynn të argumentojnë se procesi i dytë hetimor kundër Michael Flynn lidhur me bisedat e tij me ish-ambasadorin rus ishte komplot anti-Trump që e kishte zanafillën tek majat e administratës Obama.

“E gjithë kjo ishte e orkestruar dhe e organizuar brenda FBI-së, me pjesëmarrjen e (ish-drejtorit të zbulimit kombëtar) Clapper, Brennan dhe në zyrën presidenciale në ditët e administratës Obama,” tha Sydney Powell, avokat i zotit Flynn në një intervistë me rrjetin Fox.

Dokumente të deklasifikuara kohët e fundit lidhur me hetimet u janë dorëzuar avokatëve të zotit Flynn, duke ndezur edhe më tepër teoritë konspirative.

Në një shënim me shkrim dore që është përmendur disa herë, një zyrtar i lartë i FBI-së pyeste nëse qëllimi i intervistimit të zotit Flynn lidhur me bisedat që kishte zhvilluar me ish-ambasadorin rus, ishte për të bërë të mundur shkarkimin e tij, apo për ta “shtyrë që të gënjente”.

“Demaskimi” i Michael Flynn

Teoria e konspiracionit Obamagate ushqehet nga një tjetër pretendim: identifikimi i zotit Flynn para se Donald Trump të merrte postin e presidentit kishte motive politike.

Analistë amerikanë të zbulimit zakonisht “maskojnë” identitetin e amerikanëve që ndeshen në procese hetimore që kanë në shenjestër shtetas të huaj. Bisedat e zotit Flynn me ish-ambasadorin rus u kapën gjatë përgjimeve rutinë të bisedave të ambasadorit rus.

Zyrtarë të autorizuar të sigurisë kombëtare që përpiqen të kuptojnë kontekstin e bisedave mund t’i kërkojnë Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të “demaskojë” apo të zbulojë identitetin e shtetasit amerikan në këto biseda. Kjo është praktikë rutinë, por Presidenti Trump dhe aleatët e tij i kanë akuzuar zyrtarët e administratës Obama se e zbuluan identitetin e zotit Flynn për qëllime politike.

Këtë javë, Richard Grennell, aleat i ngushtë i presidentit Trump, aktualisht drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar, nxori emrat e mbi 10 zyrtarëve të administratës Obama, të cilët kishin kërkuar zbulimin e identitetit të zotit Flynn gjatë javëve të fundit të administratës së mëparshme.

Lista përfshin një numër zyrtarësh të Presidentit Trump, të cilët prej kohësh Presidenti Trump i ka akuzuar për qëndrim armiqësor ndaj tij: Brennan, James Clapper dhe ish-drejtori i FBI-së, James Comey.

Hetime të reja?

Që kur filloi Obamagate, Presidenti Trump u ka bërë thirrje republikanëve në Kongres të hapin hetime mbi ish-presidentin Obama. Nuk ka gjasa që të ndodhë një gjë e tillë.

“Nëse do të isha senator apo kongresmen, personi i pare që do të thërrisja për dëshmi për krimin dhe skandalin më të madh politik në SHBA, është ish-Presidenti Obama,” shkruante të enjten Presidenti Trump në Twitter. “Ai ishte në dieni të TË GJITHAVE”.

Por kreu i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, Lindsey Graham, përkrahës i Presidentit Trump, thotë se nuk është i interesuar të sjellë ish-presidentin Obama para Kongresit.

Por Senatori Graham është betuar të thërrasë zyrtarë të administratës Trump në kuadër të hetimeve të komisionit të tij për origjinën e hetimit për lidhjet Trump-Rusi.

Joe Biden dhe demokratë të tjerë e kanë hedhur poshtë Obamagate si një tjetër përpjekje e pacipë e Presidentit Trump për të zhvendosur vëmendjen nga kritikat në rritje për keqmenaxhimin e krizës së koronavirusit.

 

Fraksion.com