Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik; ISHP: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme
Nga e hëna të gjitha aktivitetet në vend do të jenë të hapura, përveç transportit publik, si dhe aktiviteteve social-kulturore e sportive në ambiente të mbyllura.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në këto kushte u bën thirrje qytetarëve të vijojnë me zbatimin me rigorozitet të masave për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.
“Në këtë situatë të lehtësimit të masave, kemi rritur vigjilencën për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID-19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdoni të respektoni distancimin fizik dhe të mbani higjienën personale”, bën të ditur ISHP-ja.
ISHP gjithashtu këshillon qytetarët që të shmangen sa më shumë daljen e panevojshme dhe nëse kanë mundësi të bëjnë furnizimet e pazareve për një javë në mënyrë që të shmangen kontaktet dhe grumbullimet në markete e tregje, ndërsa distancimi fizik prej të paktën 1 metër duhet të jetë gjithmonë i pranishëm.
Të hënën në mbarë vendin do të lejohet edhe hapja e bareve dhe restorante pas 2 muajsh të mbyllura, ndërsa subjektet janë njohur edhe me protokollet për parandalimin e infeksionit.
Autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të rrepta për zbatimin e këtyre protokolleve.
Fraksion.com