Rama: Nga e hëna gjithçka e hapur me përjashtim të transportit publik dhe …
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga e hëna do të hapet gjithçka, përveç transportit publik dhe aktiviteteve sportive e kulturore, në mjedise të mbyllura.
“Nga e hëna, përveç transportit publik, aktiviteteve sportive e kulturore në mjedise të mbyllura, nuk do të kemi asgjë tjetër të mbyllur”, tha Rama.
Gjatë një komunikimi mbi situatën në vend dhe masat në vijim, Kryeministri Rama theksoi se transporti publik është një problem shumë i madh në këto kushte dhe se me të drejtë shumëkush është i shqetësuar për mungesën e transportit publik.
“Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk e hapim dot ende. Palestra, qendra sportive, teatro, kinema, klube nate apo lokale lodrash për fëmijë në mjedise të mbyllura, nuk do të lejohen, ndërsa gjithçka tjetër do të jetë e hapur”, deklaroi Rama.
Ai tha se një hapje e tillë do të thotë se ekspozimi është shumë i madh, sidomos me vendimin për hapjen e bareve e restoranteve.
Rama apeloi qytetarët për zbatimin e masave të këshilluara nga autoritetet për frenimin e përhapjes së COVID-19.
“Sepse është aq e rrezikshme të ulesh në një bar apo restorant e të mos respektosh rregullat e protokollin. E kuptoj që është shtrëngesë ruajtja e distancave, sepse nuk do të mund të kesh aq tavolina sa do të doje, por është domosdoshmëri zbatimi i masave dhe protokolleve të përcaktuara nga autoritetet”, u shpreh Kryeministri
Fraksion.com