“Mos merrni shembullin e Bashës”; Rama: Ajo që ndodhi me kreun e PD…
Kryeministri Edi Rama, të premten, duke nënvizuar se ligji është i barabartë për të gjithë, ka theksuar se veprimet e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishin të papërgjegjshme.
Duke iu referuar takimit të Bashës me operatorët turistikë të Durrësit në një lokal në qytetin bregdetar dhe më pas duke iu bashkuar protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Rama tha se problemi është çfarë pasojash mund të kemi nga këto sjellje të papërgjegjshme.
“Ajo që ndodhi me kreun e PD në Durrës dhe përsëri mbrëmë në të ashtuquajturin ‘shesh të mbrojtjes së identitetit kulturor’ është përtej çdo lloj perceptimi, që kjo të ndodhë. Sigurisht, ka një ligj në fuqi, ku ligji është i njëjtë për të gjithë dhe do funksionojë edhe për Kreun e PD dhe për këdo tjetër që thyen rregullat dhe ligjet. Këtu problemi është çfarë pasojash mund të kemi nga këto sjellje të papërgjegjshme. Prandaj mos merrni shembullin e kryetarit të PD. Mund të jeni në simpati të plotë me qëndrimet e tij, por në asnjë mënyrë me sjelljen e tij”, tha Rama.
Fraksion.com