AktualitetTë fundit

“Monitorim i zonave të kuqe e të gjelbra”; Tomini: Rikthimi nëse nuk respektohen udhëzimet

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e  Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaron se marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri.

Në një intervistë për ATSH-në, Tomini shprehet se COVID-19 në vendin tonë pati karakteristikën e një epidemie të butë, krahasuar me peshën që pati në vendet e tjera europiane, duke krijuar mundësinë për një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë.

“Kjo epidemi u paraqit me pikun në javën e fundit të muajit mars dhe me një trend të qëndrueshëm në vijim duke sjellë një menaxhim cilësor dhe shërbim shëndetësor korrekt dhe në kohë, për sa i përket përgjigjes së sistemit shëndetësor ndaj të gjitha rasteve, sigurisht nën efektin e masave të marra kundrejt distancimit fizik, por dhe strategjisë së ndjekur kundrejt testimit të çdo rasti të dyshuar dhe të gjithë kontakteve të evidentuara nga gjurmimi i thelluar epidemiologjik. Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën madhore në atë ç’ka epidemia COVID-19 u paraqit në Shqipëri”, thekson Tomini për ATSH.

Në vend, thekson ajo, vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. “Por, transmetimi komunitar në disa zona është evident sepse kemi shfaqjen e rasteve pozitive COVID-19 të pa lidhur epidemiologjikisht me njëri-tjetrin”, shprehet Tomini.

Monitorimi në mënyrë intensive i zonave të kuqe dhe të gjelbra, shpjegoi Tomini, njëkohësisht sjell evidentimin e rasteve të reja aktive dhe kjo është në sajë të gjurmimit epidemiologjik të rasteve.

“Rastet e hospitalizuara, paraqiten në një nivel shumë të ulët aktualisht dhe kjo situatë flet në mënyrë pozitive për një klinikë jo agresive, sepse vetëm këto raste kërkojnë shërbim shëndetësor spitalor”, shprehet Tomini për ATSH.

Por sipas saj, këto të dhëna nuk flasin për faktin që pas rasteve me klinikë dhe me tampon pozitiv COVID-19, probabilisht kemi shumë herë më tepër raste asimptomatike në popullatë.

Megjithatë, Tomini thotë se aktualisht COVID-19 është nën kontroll, por  vlerëson ajo, rikthimi mund të jetë i mundshëm dhe mund të mos përjashtohet nëse udhëzimet nuk do të respektohen.

“Duhet të kemi vazhdimësi në respektimin e distancimit fizik dhe masave të higjienës personale pavarësisht lehtësimit të masave, janë mundësitë e vetme të parandalimit dhe të shkëputjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, apelon Tomini.

 

Fraksion.com