Karantina në Qendrën e Studentëve nxit përplasje mes Thaçit dhe VV-së
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pretendimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në karantinën që ndodhet në Qendrën e Studentëve, vendosen njerëz në mënyrë selektive dhe në baza politike.
“Presidenti edhe njëherë tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme. Këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, parti kjo që udhëheq me qeverinë në detyrë të Kosovës.
Në një konferencë për media të mbajtur të premten, presidenti Thaçi kritikoi menaxhimin e karantinës në Qendrën e Studentëve nga ana e institucioneve qeveritare duke thënë se vendosja e personave aty, duhet të ndodhë në mënyrë profesionale dhe jo selektive.
“Me rëndësi është që karantinimi në konvikte të bëhe në mënyrë profesionale në raste të nevojshme e sidomos të mos vazhdojë të ketë qasje selektive politike, dikush të karantinohet e dikush jo, në bazë të lidhjeve dhe preferencave politike”, ka thënë Thaçi.
Me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri, të gjithë personat që synojnë të hyjnë në Kosovë, duhet t’i nënshtrohen karantinës në ambientet e Qendrës së Studentëve.
Fraksion.com