AktualitetKosovaNATO/BETë fundit

BE-ja po negocion vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar vazhdimin edhe për dy vjet të tjerë të mandatit të Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë, i njohur me akronimin EULEX.

Zyra për media e misionit të EULEX-it në Kosovë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se bazuar në vendimin e Këshillit Evropian të vitit 2018, mandati i “EULEX Kosova” zgjat deri më 14 qershor, 2020.

“Ka diskutime në vazhdim midis shteteve anëtare të BE-së për një mandat të ri të mundshëm. Pasi të merret një vendim, ai do të shpallet zyrtarisht”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të EULEX-it.

Gjatë javës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, por nuk janë dhënë detaje rreth bisedimeve edhe për mandatin e këtij misioni evropian në Kosovë.

“Jemi falënderues për përkrahjen dhe mbështetjen që keni dhënë, si për qytetarët, ashtu edhe për institucionet e rendit dhe ligjit në këto rrethana të reja të paparashikuara (rrethana të pandemisë)”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Në bazë të praktikës së instaluar tashmë qysh në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, vazhdimi i mandatit të EULEX-it është i mundur vetëm përmes një letërkëmbimi në mes BE-së dhe presidentit të Kosovës, pa pasur nevojë për një vendim të ri nga Kuvendi i Kosovës.

Në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Drejtësisë nuk janë deklaruar nëse janë në favor të vazhdimit apo jo të mandatit të këtij misioni edhe për dy vjet tjerë.

Ndërkohë, shoqëria civile beson se Kosova ka nevojë edhe më tutje për EULEX-in, por pa kompetenca ekzekutive.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se në fushën e sundimit të ligjit apo sistemin e drejtësisë, duhet të ketë ende prani të pjesëtarëve të EULEX-it, por vetëm në kapacitetet e monitorimit.

“Pra, në asnjë formë kapacitetet e tyre nuk duhet të jenë ekzekutive dhe thjesht na duhet edhe një kohë që ta kemi një monitorim nga ana e këtyre ekspertëve ndërkombëtarë dhe kjo besoj që nënkupton vazhdimin e këtij misioni edhe së paku për dy vjet”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Musliu pret që mandati i EULEX-it të jetë i varur edhe nga mandati apo kohëzgjatja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Kjo pjesë e mandatit të EULEX-it besoj shumë se duhet të ndërlidhet edhe me mandatin e Gjykatës Speciale (Dhomave të Specializuara)”, thotë Musliu.

Dhomat e Veçanta, apo siç njihet në Kosovë Gjykata Speciale, është gjykata e katërt me radhë që merret me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këto krime, paraprakisht janë marrë edhe Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë apo UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, si dhe Gjykata e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

Marrë parasysh këtë vazhdimësi sa i përket gjykimit të rasteve të krimeve të supozuara të luftës, aty pikërisht shihet edhe një prej arsyeve të ndërlidhjes së vazhdimit të misionit të EULEX-it me mandatin e Dhomave të Specializuara.

Në bazë të negociatave aktuale në BE, është e pritshme që EULEX-it t’i vazhdohet mandati, të paktën deri më 14 qershor, 2022.

Më 4 qershor, 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e atëhershme të Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën përmbyllej mandati ekzekutiv i këtij misioni dhe aprovohej mandati monitorues dhe këshillues i EULEX-it mbi institucionet e drejtësisë në Kosovë.

EULEX-i ka filluar misionin në Kosovë në vitin 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ai përbën misionin më të madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Në fazën e hershme të pavarësisë, EULEX-i ishte vendosur në Kosovë që t’iu asistonte autoriteteve vendore në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit, duke zëvendësuar fillimisht dhe marrë përsipër shumë kompetenca nga sistemi i drejtësisë që i kishte administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Ngjashëm me UNMIK-un, edhe EULEX-i funksionon brenda kornizës së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në fillim të misionit, gjatë 4-6 vjetëve të parë, EULEX-i merrej kryesisht me rastet e cilësuara të ndjeshme, me të cilat, siç thuhej atëherë nga shoqëria civile, institucionet vendore të sundimit të ligjit dhe drejtësisë nuk ishin ende të “pjekura” që t’i trajtonin.

Që nga themelimi i Gjykatës Speciale, misioni i BE-së vazhdon t’i mbështesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.

Pjesëtarët e EULEX-it gëzojnë imunitet ndaj proceseve ligjore dhe administrative vendore.

 

Fraksion.com