Lagjja e re në Tiranë; Arkitekti italian Boeri: Do përshkohet për 15 minuta pa pasur nevojën e lëvizjes me makinë
Arkitekti i famshëm italian, Stefano Boeri gjatë prezantimit në Këshillin Kombëtar të Territorit të dy planeve të rindërtimit në Tiranë dhe Durrës, tha se është një projekt që ka përfshirë kompeticione ndërkombëtare për çështje të ndryshme nga disa studio dhe është projekt që ka rimarrë disa ide që kishin zhvilluar për masterplanin e Tiranës, siç është ideja për pyllin orbital përreth qytetit.
Boeri tha se projekti parashikon të ndërhyhet në një nga zonat ku përfytyrohet se do të krijojë një Tiranë policentrike në aksin verior të bulevardit në kontakt me lumin e Tiranës dhe në kufi me Kamzën.
“Zonat e zhvillimit të Tiranës të parashikuar nga masterplani dhe zona të parashikuara nga plani i rindërtimit, plani i përgjithshëm i këtij projekti, niset nga ideja se duhet të ndërtohet një lagje eksperimentale nga pikëpamja e qëndrueshmërisë, e zhvillimit të qëndrueshëm, nga pikëpamja e të gjitha teknologjive të avancuara, por dhe eksperimentale, nga pikëpamja e sfidave të reja që pandemia na ka vënë përpara javët e fundit. Natyrisht, kemi marrë si eksperiment lagje eksperimentale të realizuar në Europë vitet e fundit”, tha ai.
Po ashtu Boeri tha se “konceptet themelore të këtij projekti janë në thelb tetë. I pari ka të bëjë me idenë që të ideojmë një qytet me të gjitha teknologjitë më të përparuara nga pikëpamja e internetit, 5G-së. Një qytet i gjelbër, qytet që të jetë i vetëmjaftueshëm nga pikëpamja e energjisë, e ciklit të ujërave. E katërta, të përfytyrojmë një qytet ku mund të futen të gjithë. Të kenë akses të gjithë, të bashkëjetojnë. E pesta, të kemi një lagje këtu që të përshkohet në 15 minuta në këmbë, pa pasur nevojë që të përdoret makina. Dhe e gjashta, një lagje e gjallë për të ardhmen që të jetë në funksion të të rinjve. E shtata, të jetë e aksesueshme për të gjithë nga pikëpamjet e jetës dhe e teta, të jetë një lagje e mbrojtur, e sigurt”.
Fraksion.com