2 lagje të reja në Tiranë e Durrës; Rama: Po hapim një kapitull të ri
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “jemi në kushtet që hapim një kapitull të ri në kuptimin e plotë të fjalës, sepse jo thjesht garantojmë strehim për ata që presin të futen në shtëpitë e tyre, por krijojmë shembuj të rinj të Shqipërisë që duam për gjeneratën që duam, të qyteteve të gjeneratës tjetër, patjetër edhe të organizimit dhe bashkëjetesës komunitare të gjeneratës tjetër”.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit nga dy arkitektët e famshëm italianë Stefano Boeri dhe Mario Cucinella, në Këshillin Kombëtar të Territorit, të dy planeve të rindërtimit në Tiranë dhe Durrës, Kryeministri theksoi se “këto dy lagje të reja, njëra pranë lumit të Tiranës e tjetra në zonën e Spitallës, mishërojnë ambicien tonë për Shqipërinë që duam”.
“Jemi këtu falë punës së jashtëzakonshme të bërë nga dy ministrat, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të cilët kanë shoqëruar këtë rrugëtim, këtë proces, me një gatishmëri të madhe dhe shumë punë, kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe atë të Durrësit dhe për faktin që është marrë edhe më parë me çështjen e rregullimit të territorit dhe është përfshirë më shumë në këtë proces dhe sigurisht falë dy arkitektëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre po na vënë në kushte jo thjesht të ndërtojmë për t’iu dhënë mundësinë të prekurve nga tërmeti të kthehen në shtëpi, por edhe shumë më tepër”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “na vë në kushte që të hapim një kapitull të ri duke ndërtuar nga zero lagjet e reja për Shqipërinë e gjeneratës së ardhshme, për qytetet e gjeneratës së ardhshme dhe për sensin e organizimit dhe bashkëjetesës në hapësira të konceptuara dhe të ndërtuara në një mënyrë mjaft përfshirëse, ku përfshihen të gjithë elementët”.
Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për arkitektët italianë, të cilët tha ai “janë përfshirë me shumë dëshirë të mirë në këtë proces dhe dua t’i falënderoj edhe Stafanon, edhe Marion për faktin që qysh në momentet e para pas tragjedisë së 26 nëntorit janë vetofruar për të qenë pjesë e përpjekjes tonë të përbashkët për adresimin e plagëve të rënda që u hapën në 26 nëntor”.
“Kemi një punë të veçantë sot në këtë këshill, kjo është arsyeja e pjesëmarrjes time jo si zakonisht. Duhet të diskutojmë dy plane me rëndësi të veçantë për vendin dhe në funksion të rindërtimit, planin e detyruar vendor të zonës së parë në bashkinë e Tiranës ku do të ngrihet një lagje e re, dhe planin e detyruar vendor të zonës 4 të Spitallës, Durrës, ku do të ngrihet përsëri një lagje e re”, tha Rama.
Statusi nga z. Rama:
RINDËRTOJMË 🤝 BASHKË
🟢 STEFANO BOERI DHE MARIO CUCINELLA, DY ARKITEKTËT E FAMSHËM ITALIANË, PREZANTOJNË NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË TERRITORIT, DY PLANE TË RINDËRTIMIT NË TIRANË DHE DURRËS, DY LAGJE TË REJA, NJËRA PRANË LUMIT TË TIRANËS E TJETRA NË ZONËN E SPITALLËS, QË MISHËROJNË AMBICIEN TONË PËR SHQIPËRINË QË DUAM🇦🇱☀️🇮🇹
Fraksion.com