AktualitetTë fundit

Yuri Kim: Ka shumë nga ata që nuk e duan reformën në drejtësi

“Reforma në Drejtësi është absolutisht e nevojshme dhe mendoj se të gjithë ranë dakord për këtë”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Në një intervistë për Euro News e pyetur për Reformën në Drejtësi, Kim tha se, “në vitin 2016, kërkesa popullore për Reformën në Drejtësi ishte aq e madhe, sa politikanëve iu desh t’i miratonin ato. Dhe bënë gjënë e duhur. Është për t’u përgëzuar”.

“Reforma në Drejtësi ka tri pjesë: duhet kuadri ligjor, ngritja e kapaciteteve institucionale për të, dhe së fundi, çka mund të ndodhë edhe njëkohësisht duhet të zbatohet ligji dhe institucionet duhet të funksionojnë”, tha Kim.

“Mendoj se njerëzit kanë të drejtë që janë disi të paduruar për këtë. Kemi parë që u bë pjesa e parë. Kemi ligjet e vitit 2016. Kemi pjesën më të madhe të institucioneve të ngritura, përveç Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Kushtetuese, e cila është diçka madhore”, tha Kim.

“I përmend të gjitha këto për të vënë në pah se pavarësisht sa të paduruar jemi, ka pasur edhe përparim real. E them këtë për të treguar se duhet të vazhdoni të jeni të paduruar. Duhet të vazhdoni të nxisni dhe, sa më përket mua, është koha që udhëheqësit të prodhojnë rezultatet”, theksoi Kim.

“Varet nga ata që të tregojnë vullnet politik për të ngritur Gjykatën Kushtetuese. Varet nga gjykatësit që të fillojnë të tregojnë se gjykatat po funksionojnë. Dhe mendoj se kemi filluar ta shohim këtë”, shtoi Kim.

“Javën e kaluar, Gjykata e Lartë nxori disa vendime dhe po fillojmë të shohim pakësimin e çështjeve të mbartura dhe vazhdimin e Vetingut. Pra, ka lëvizje, por edhe unë jam me popullin shqiptar: është koha për një shtysë të re për të bërë përparim”, tha Kim.

E pyetur se si do t’i përgjigjej kritikëve që thonë se SHBA dhe BE nxitën një reformë në drejtësi që është defektoze, që ka probleme, që ka krijuar një situatë të paprecedent në Shqipëri, pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe fajësojnë ndërkombëtarët që i nxitën udhëheqësit politikë shqiptarë, ambasadorja Kim u përgjigj se, “do të thosha se diçka si Reforma në Drejtësi është jashtëzakonisht e vështirë. Është e ndërlikuar dhe është e papërsosur, por nga sa shoh, elementët bazë janë aty dhe varet nga aktorët që të fillojnë ta zbatojnë atë vërtet”.

E pyetur se kush nuk e do Reformën në Drejtësi, ambasadorja Kim tha se, “mendoj se ka shumë që nuk e duan”. E pyetur nëse vazhdon të punojë me ta, ambasadorja Kim theksoi se, “mendoj se ka shumë që nuk e duan. Unë punoj me një gamë të gjerë njerëzish dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”.

Gjithashtu e pyetur nëse ajo që kemi bërë deri më sot për Reformën në Drejtësi është më e mira që mund të kishim bërë, ambasadorja Kim tha se askush nuk duhet të pretendojë përsosmëri, pasi kjo nuk është e mundur.

“Por ajo që mund t’iu them është që për qeverinë amerikane, Reforma në Drejtësi në Shqipëri mbetet përparësi dhe, për mua personalisht, mbetet një përparësi dhe kam në plan t’i kushtoj gjithçka mundem për ta bërë realitet. Do të thotë që do të ketë frustrim, e pres këtë të ndodhë, sepse ka disa që nuk duan që të ndodhë. Ka edhe çështje kapacitetesh. Por ajo që mund të them është se do të bëj përpjekjet e mia më të mira; kushdo rreth meje do të bëjë më të mirën dhe tani është në dorën e udhëheqësve politikë që të tregojnë seriozitetin e tyre për ta bërë këtë realitet”, u shpreh Kim.

E pyetur nëse mendon se politikanët shqiptarë mund të vendosin interesat e qytetarëve mbi ato politike, ambasadorja Kim tha se, “ata kanë treguar me veprimet e veta se është e mundur dhe mendoj se populli shqiptar do të vazhdojë të kërkojë sjellje më të mirë nga udhëheqësit e tij. Kanë treguar se kur një çështje është e rëndësishme në një kohë si pandemia korona ata mund ta lënë mënjanë politikën. Mund të përqëndrohen tek e mira e përgjithshme. Dhe në fakt mund të bisedojnë mes tyre në mënyrë të civilizuar dhe të prodhojnë një rezultat domethënës. Dhe shpresoj se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

“Kemi çështje të tjera përpara që do të kërkojnë këtë lloj bashkëpunimi dhe udhëheqje, përfshi reformën zgjedhore. Vazhdimin e reformës në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Do të duhet udhëheqje dhe do të kërkojë nga udhëheqësit që të vendosin se nuk e përballojnë dot që të vazhdojnë lojërat politike si zakonisht.

 

Fraksion.com