Buxheti për barnat mbi 40 milion euro; Rama viziton depon farmaceutike në QSUT
Rama u shpreh se “deri dje pa asnjë sistem e garanci për barnat, që mungonin në spital dhe shiteshin sa “frëngu pulën” farmacive të mbira si këpurdhat rrotull QSUT, ndërsa sot me një depo moderne barnash të standarteve europiane, që garanton sistemin e furnizimit, sigurinë e medikamenteve, transparencën e konsumit të tyre për pacientët e QSUT”.
Ministrja Manstirliu prezantoi mjediset e reja për të cilat tha se struktura moderne është e certifikuar ndërkombëtarisht.
“Kjo është depoja farmaceutike e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim i buxhetit të shtetit në vlerën 1.7 milion euro. Projekti është projektuar në 2017 dhe më pas financuar direkt nga qeveria shqiptare. Tashmë është një strukturë e përfunduar, në eficiencë të plotë”, u shpreh ajo.
“Aktualisht janë vendosur të gjtha barnat dhe materialet mjekësore që kanë të gjitha parametrat dhe standardet europiane të ruajtjes dhe sigurisë së barnave. Në QSUT nuk ka patur asnjëherë depo apo magazinë barnash të këtyre standardeve sepse nuk është menduar dhe nuk ka patur ndonjëherë aq shumë barna për t’u vendosur në një hapësirë të tillë. Këtu është hapësira magazinimit, 3 mijë metra katrorë vetëm magazinim e më pas janë mjetet ndihmëse”, u shpreh ajo.
“Kushtet e ruajtjes së barnave janë shumë të rëndësishme. Këtu janë dhomat frigoriferike. Janë nga 8 gradë në minus 20 gradë. Ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë dhe efikasitetit të barnave. Të gjitha dhomat frigoriferike janë të certifikuara sipas parametrave të sigurisë. Kur është projektuar, kemi pasur edhe ekpertizë ndërkombëtare për të realizuar rrugëtimin e barnave që nga momenti i futjes në magazinim deri tek dalja nëpër pavijone”, informoi Manastirliu.
Ajo sqaroi ndër të tjera se organizimi i ri në QSUT ka vënë rregull në shpërndarjen e tyre në infermieri.
“Drejtorua e QSUT ka bërë një organizim të ri të përqendruar të strukturës së farmacisë. Janë më shumë se 30 farmacistë të cilët janë të organizuar brenda kësaj strukture dhe më pas ndihmësfarmacistët dhe infermieritë ku shkojnë barnat sipas terapive ditore. Sistemi elektronik gjithashtu është funksional ku të gjitha barnat regjistrohen në sistem”, vijoi Manastirliu.
“Ndërtimi i depos qendrore të barnave të QSUT, me një sipërfaqe mbi 2600 metër katror, përfshin edhe aparaturat e teknologjisë së lartë. Depo qendrore e barnave në QSUT ka 7 dhoma frigoriferike për ruajtjen dhe magazinimin e barnave dhe materialeve të mjekimit, sipas standardeve më të mira bashkëkohore”, u shpreh ministrja.
Ministrja Manastirliu theksoi se buxheti për barnat është më shumë se 40 milion euro dhe janë siguruar të gjitha terapitë bazë të mjekimit si dhe është rritur dhe numri i terapive të targetuara.
Fraksion.com