Zyrtari i Ministrisë së Integrimit në Kosovë rezulton negativ në testin për koronavirus
Ka rezultuar negativ në testin e parë për koronavirus zyrtari i Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës, i cili edhe është bërë shkas për vetizolimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe të stafit të ngushtë të tij.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se Kurti dhe stafi i tij do të dalin në punë nga dita e martë.
“Qe nga nesër do te rifillojmë punën, duke pasur kujdes edhe më të shtuar për mënyrën se si ndërveprojmë dhe vëmendje për higjienën tonë, me qëllim të zbatimit të udhëzimeve nga institucionet shëndetësore”, ka thënë Kryeziu.
Përpos kryeministrit në detyrë, Kurti, edhe ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, dhe kabineti i tij janë futur në vetizolim, pasi një zyrtar i kësaj ministrie ka pasur kontakt të ngushtë me një person që ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës së hënë, ka njoftuar se nuk ka shkuar në zyrën e tij.
Deri më tash, në Kosovë janë konfirmuar 884 raste pozitive me koronavirus, 655 janë shëruar, ndërsa 28 pacientë kanë vdekur.
Fraksion.com