Rifillojnë shërbimet konsullore në përfaqësitë shqiptare në Bruksel, Mynih dhe Selanik
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj njoftoi se nga dita e sotme në përputhje me planin e masave lehtësuese, rifillon edhe puna e legalizimeve pranë shërbimeve konsullore në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Po ashtu, sot kanë rinisur edhe shërbimet konsullore në Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, Mynih dhe Selanik. Kjo pasi lehtësimi i masave në vendet përkatëse ka mundësuar dhënien e shërbimeve.
“Puna në përfaqësitë e tjera do të fillojë në varësi të masave të hapjes graduale të vendeve përkatëse. E gjithë puna, natyrisht, do të zhvillohet në përputhje me masat e nevojshme që kërkon lufta kundër pandemisë COVID-19 në këtë fazë. Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të ndërlidhur objektivat madhore të politikës së jashtme me nevojat ditore të qytetarëve të Shqipërisë”, tha Cakaj.
Fraksion.com