AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë, me 11 raste të reja rritet në 895 numri i të infektuarve me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 11 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, duke e çuar në 895 numrin e përgjithshëm të tyre.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), nuk është regjistruar ndonjë rast i ri që ka përfunduar me vdekje nga ky virus, por dy raste të reja janë shëruar, duke e çuar në 657 numrin e përgjithshëm të të shëruarve në nivel vendi.

Rastet e reja të diagnostikuar pozitiv me koronavirus janë raste kontakti nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat numër më i madh është regjistruar në Komunën e Vushtrrisë.

Të hënën në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 196 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga 8 shkurti i këtij viti deri më sot gjithsej janë testuar 10.130 mostra.

Në Kosovë deri më tani nga koronavirusi kanë vdekur 28 persona, të cilët sipas autoriteteve shëndetësore “kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese”.

Sot gjatë ditës për shkak të një kontakti të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me një zyrtar të Ministrisë së Integrimit Evropian, i cili ka pasur kontakt me një person të diagnostikuar pozitiv me koronavirus, kryeministri nuk ka dalë në vendin e tij të punës por është vetë-izoluar.

“Nga sot jam në vetë-izolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkroi Kurti.

 

Fraksion.com