AktualitetTë fundit

Koronavirusi; Ulen rastet në Shqipëri: 4 raste të reja në 24 orët e fundit

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri.

Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Bazuar në të dhënat e deritanishme vlerësohet se numri efektiv i riprodhimit nga data 24 prill e në vazhdim ka zbritur nën kufirin kritik (për R < 1). Sot është numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit.

Në 24 orët të fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 4 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 872 qytetarë. 654 qytetarë janë shëruar, ose 75% e të gjithë të prekurve.

Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete. Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes. Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11089 testime, nga të cilat, 10559 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40. COVID-19 –

Statistika (11 Maj 2020)

Testime totale 11089

Testime molekulare 10559

Testime serologjike 530

Raste pozitive 872

Raste të shëruara 654 Raste Aktive 187

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 87

Krujë 56

Shkodër 17

Kamëz 12

Fier 5

Kurbin 3

Elbasan 3

Mirditë 1

Berat 1

Durrës 1

Korçë 1

 

Fraksion.com