AktualitetTë fundit

“Data 18, me 97 % të hapjes së të gjitha aktiviteteve”; Java e fundit e majit me lehtësira për eventet kulturore dhe transportin

Eugena Tomini, Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, deklaroi mbrëmjen e sotme në një nga mediet e vendit se 18 maji nuk është hapja përfundimtare por do të pasohet me lehtësira të tjera sipas vlerësimeve përgjatë kohës së lirimit.

“Data 18 nuk do të jetë përfundimtare. Ju keni qenë live edhe me Komitetin Teknik para disa ditëve dhe data 18 përkon me gati 97 % të hapjes të të gjithë aktiviteteve apo subjekteve në vijimësi por nuk do të jetë përfundimtarja. Sepse do të kemi aktivitete përsëri kulturore që do të gjykohen, transporti që janë në proces gjykimi. Jemi në proces të vlerësimit edhe të hapjes apo të lirimit të fashës orare por gjithçka ngelet pas datës 18 për t’u deklaruar dhe për t’u bërë publike për të gjithë popullatën”, u shpreh Tomini.

Sipas Tominit, fundi i majit dhe java e parë e qershorit do të përkojë edhe me lehtësirat e tjera megjithëse , duhen vlerësuar disa kritere kryesore.

“Besoj që sipas gjasave dhe parashikimeve të kryera deri në këto momente, fundi i majit, java e parë e qershorit duke monitoruar tre kriteret e domosdoshme të fazave të lirimit të masave të karantinës apo të distacimit fizik, janë shumë të rëndësishme numri i rasteve të reja pavarësisht se kemi 4, numri i shtrimeve në spital dhe numri i rasteve në terapinë intensive do të krijojnë hallkat zinxhir në lehtësimin progresiv por gradualisht të të gjithë masave lehtësuese përfundimtare”.

Për lehtësirat e krijuara që nga sot, Tomini u shpreh se “janë struktura shëndetësore, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor për të inspektuar kushtet higjieno-sanitare të cilat këto kritere i ka pasur edhe më parë për t’i supervizuar por me vendosjen e protokolleve të ri të sigurisë, përkundrejt situatës së COVID- 19, jo vetëm ato kritere për të cilat këto subjekte duhet të funksionojnë, i shtohen edhe protokollet e sigurisë të Insepktoriatit Shtetëror Shëndetësor njëkohësisht taskforca e ngritur nga Kryeministria, do të monitorojë njëkohësisht nga grupet e veta në terren në drejtim të respektimit të protokolleve të sigurisë”.

Në rast se nuk respektohen këto procedura dhe protokolle, Tomini u shpreh se “sigurisht që do të ketë masa siç i kemi aplikuar me masat e moszbatimit të tyre edhe në terren përshembull përkundrejt legjislacionit të lëvizjes së taksive apo të kundravajtjet e familjarëve të cilët nuk kanë respektuar pranimin në makinë të vetëm njërit prej familjarëve, apo të disa personave të tjerë, ju e keni parë edhe sot që fluksi i makinave ka qenë më i shtuar kundrejt marrjes së autorizimit në zonat e gjelbra apo të kuqe dhe sigurisht sanksionet në fuqi janë të zbatueshme”.

Në zonat e kuqe sipas saj, ka ende vatra të cilat po monitorohen në vazhdimësi.

“Në zonat e kuqe, ne kemi akoma vatra, kemi akoma pacientë aktivë që janë aktualisht në supervizim të njësive vendore të kujdesit shëndetësore. Aktualisht sot që flasim në Tiranë, pavarësisht që flasim kemi pasur 4 raste në total pozitive por janë 97 persona të tjerë që janë në procesin 14 ditor të vetizolimit por në procesin e shërimit. Sigurisht që ka problematika përkundrejt asimptomatikëve që përveç personave që janë të konfirmuar mund të kemi persona në lëvizje, në qarkullim persona që janë asimptomatikë”, sqaroi Tomini.

“Baret, restorantet apo kafenetë që do të hapen do të jenë vetëm në ambientet e hapura dhe në jo në ambiente të mbyllura dhe diferenca me një makinë dhe më një ambient të hapur sigurisht që është e dukshme sepse kemi ajrosje më të madhe, është ambient i hapur, nuk e kemi ambientin e mbyllur që mund të sjellë prezencë të kushteve për zhvillimin e virusit”, u shpreh Tomini.

Me hapjen e qendrave tregtare, Tomini shpjegoi se “ një nga kriteret që i dallon nga subjektet e tjera, që një administrues i përcaktuar nga qendra tregtare për të gjithë klientët dhe të gjithë personat e tjerë të punësuar apo jo të qendrës, vizitorë do t’u monitorohet temperatura që në hyrje dhe evidentimi i prezencës së maskës dhe dorezave për të gjithë personat që do të hyjnë në qendrat tregtare. Në rast të kundërt, asnjë person nuk do të vizitojë qendrën tregtare”.

 

Fraksion.com