COVID-19; Itali, numri i vdekjeve dhe numri i rasteve vazhdon të shënojë rënie
Italia ka raportuar sot për 179 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar në 30.739 numrin e përgjithshëm e vdekjeve.
Numri i vdekjeve dhe numri i rasteve aktive në Itali vazhdon të shënojë rënie.
Të dhënat e publikuara nga Departmenti i Mbrojtjes Civile i Italisë konfirmoi se kulmi i shpërthimit ka kaluar, por ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se një relaksim i rregullave në fazën e dytë të emergjencës mund të shkaktojë një rikthim në ngjitjet e virusit.
Numri i rasteve aktive të koronavirusit shënoi një rënie me 836 raste, duke shkuar në 82,488, ndërkohë shërimet vazhduan të rriten duke shkuar në 105.186.
Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni i Lombardisë, ku viktimat vazhduan të rriten, duke tejkaluar shifrën prej 15 mijë, që paraqet pothuajse gjysmën e numrit të viktimave në vend.
Masat e bllokimit ishin zbutur pjesërisht nga 4 maji dhe janë planifikuar të lehtësohen më tej në hapa gradualë: së pari në 18 maj për shitësit me pakicë dhe më 1 qershor për baret dhe restorantet. Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator, ndërsa udhëtimi midis rajoneve, përveç për arsye të justifikuara, është akoma i ndaluar.
Kryeministri italian Giuseppe Conte dje siguroi italianët se nuk do ta kalojnë verën në karantinë dhe se do të mund të shkojnë me pushime.
Industria italiane e turizmit është goditur shumë nga pandemia, kështu që kryeministri sugjeroi italianët që të zgjidhnin vendin e tyre si destinacion për pushimet.
Megjithatë, qeveria është nën presion të thellë për të ofruar një paketë të re të masave ekonomike, me vlerë deri në 55 miliardë euro, që duhet të përfshijë likuiditet të ri për firmat që përballen me vështirësi dhe mbështetje të mirëqenies për qytetarët e goditur nga pasojat ekonomike të pandemisë.
Mirëpo, mbledhja e kabinetit e cila ishte planifikuar të mbahejt sot për të aprovuar masat, u prolongua për më vonë gjatë javës, duke konfirmuar ndarjet e thella brenda koalicionit qeveritar të Italisë mbi paketën ekonomike.