AktualitetBota+Të fundit

Mnuchin: Papunësia mund të rëndohet më tej

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha të dielën se shkalla e lartë e papunësisë për shkak të mbylljeve të bizneseve mund të përkeqësohet më tej, duke iu referuar shifrës prej mbi 14 për qind të raportuar të premten nga qeveria.

“Shifrat me siguri do të keqësohen përpara se të shkojnë drejt përmirësimit”, tha zoti Mnuchin në programin Fox News.

Shkalla e papunësisë u rrit në 14.7 për qind në muajin prill, sipas një raporti të Departamentit të Punës.

Kjo shifër thyen rekordin prej 10.8 për qind të arritur në nëntor 1982, si më e larta në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sekretari Mnuchin tha se Shtëpia e Bardhë po diskuton për më shumë masa fiskale për të lehtësuar dhimbjen ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

Por ai shtoi se qeveria federale nuk synon të shpëtojë financiarisht ato shtete që e kanë menaxhuar dobët krizën.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë po kërkon shkurtime në taksat mbi të ardhurat personale të qytetarëve.

 

Fraksion.com