AktualitetBota+Të fundit

Kina, përpjekje për të hedhur poshtë akuzat e SHBA për virusin

Kina publikoi një shkrim të gjatë me anë të të cilit përgënjeshtron ato që ajo i quajti 24 “aludime absurde” të disa politikanë kryesorë amerikanë lidhur me trajtimin që ajo i bëri çështjes së koronavirusit.

Gjatë javës së kaluar , ministria e jashtme kineze ia ka kushtuar pjesën më të madhe të konferencave të shtypit akuzave të politikanëve të SHBA, sidomos të sekretarit të shtetit Mike Pompeo, se Kina e mbajti të fshehtë informacionin për koronavirusin dhe se virusi e kishte origjinën në një laborator të qytetit Wuhan.

Në një shkrim prej 30 faqesh, të postuar të shtunën vonë në faqen e internetit të ministrisë përsëriten dhe zgjerohen më tej përgënjeshtrimet e bëra gjatë konferencave për shtyp.

Artikulli citon njoftime të mediave që thonë se disa amerikanë ishin infektuar nga virusi përpara se të konfirmohej rasti i parë në Wuhan, edhe pse nuk ka prova që të tregojnë se kjo është e vërtetë.

Në përpjekje për të hedhur poshtë aludimet amerikane se koronavirusi ka qenë krijuar me paramendim ose ka dalë në një farë mënyre nga Instituti i Virologjisë i Wuhanit, artikulli thotë se të gjitha provat tregojnë që virusi nuk është i krijuar nga njeriu dhe se instituti nuk është i aftë të sintetizojë një virus të ri.

SHBA, KINA FSHEHU INFORMACIONIN, PEKINI E MOHON

Artikulli i ministrisë së jashtme kineze jep një kalendar kohor, që sipas saj tregon se Kina i ofroi “në kohë”, “në mënyrë të hapur dhe transparente” informacione komunitetit ndërkombëtar, duke hedhur poshtë kritikat amerikane se ajo u tregua e ngadaltë për të dhënë alarmin.

Por megjithë garancitë e përsëritura të Kinës, shqetësimet për vonesat e dhënies së informacionit nga ana e saj nuk janë shuar.

Një raport i revistës Der Spiegel të premten e kaluar, citon agjencinë gjermane të zbulimit BND, sipas të cilës përpjekja fillestare e Kinës për të fshehur informacionin i kushtoi botës katër deri në gjashtë javë që mund të ishin përdorur për të luftuar virusin.

ÇËSHTJA LI WENLIANG

Shkrimi i ministrisë së jashme kineze hedh poshtë kritikat perëndimore për trajtimin nga Pekini të çështjes së mjekut 34-vjeçar Li Wenliang, i cili u përpoq të jepte alarmin për shpërthimin e virusit në Wuhan.

Vdekja e tij nga COVID-19, shkaktoi mjaft zemërim dhe hidhërim në të gjithë Kinën.

Në shkrimin e ministrisë thuhet se Li nuk ishte një “sinjalizuesi” dhe se ai asnjëherë nuk u vu nën arrest, në kundërshtim me shumë njoftime perëndimore.

Megjithatë, shkrimi nuk përmend faktin që Li ishte qortuar nga policia për “përhapje të thashethemeve”. Edhe pse më vonë Li u radhit mes “dëshmorëve” për të cilët Kina mbajti zi, një hetim rreth çështjes së tij u bë objekt kritikash në internet pasi në hetim thjesht propozohej që atij t’i hiqej qortimi.

Ligjvënësit amerikanë kanë paraqitur për miratim një projektligj që synon të ndryshojë emrin e rrugës përpara ambasadës kineze në Uashington me qëllimin për të nderuar Dr Li Wenliang.

Li, mjek okulist i spitalit qendror të Wuhanit, paralajmëroi disa nga kolegët e tij të shkollës së mjekësisë në fund të muajit dhjetor se një fenomen i ngjashëm me SARS-in ishte shfaqur në horizont.

Ai u thirr nga autoritetet lokale lidhur me përhapjen e këtij alarmi. Menjëherë më pas autoritetet lëshuan urdhra ku kërkohej që askush tjetër të mos flasë mbi koronavirusin përveç zyrtarëve të caktuar nga qeveria.

Në atë kohë, Kina nuk kishte bërë të ditur se virusi, që do të emërtohej më pas si COVID-19, mund të transmetohej nga njeriu tek njeriu dhe mjekëve që trajtonin pacientët nga kjo sëmundje nuk u kërkohej të mbanin pajisje mbrojtëse. Doktor Li u infektua nga COVID-19 dhe vdiq në spital më 7 shkurt.

Në shkrimin e ministrisë së jashtme të Kinës hidhen poshtë sugjerimet e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit Pompeo që koronavirusi i ri të quhet “virusi kinez”, ose virusi i “Wuhanit”. Aty citohen dokumente të Organizatës Botërore të Shëndetit se emërtimi i një virusi nuk duhet të përmbajë emrin e një vendi të caktuar./VOA

 

Fraksion.com