AktualitetTë fundit

Ndalimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej”; Reagimet

Disa aktivistë të shoqërisë civile që u mbodhën në një tubim sot në sheshin “Skënderbej” në diën e fitores kundër fashizmit, që njihet dhe si Dita e Europës, u shoqëruan nga Policia e Tiranës për rreth 4 orë dhe më pas u liruan.

Protestuesit kundërshtuan me forcë shoqërimin në polici, ndërkohë që efektivët i shoqëruan me argumentin se nuk lejohen protestat në këtë periudhë pandemie.

Presidenti Ilir Meta reagoi ndaj ndalimit të protestuesve, ndërsa theksoi se zëri i qytetarëve duhet dëgjuar.

“Dhuna ndaj aktivistëve të shoqërisë civile në sheshin “Skënderbej” është e papranueshme dhe kremtimi më i shëmtuar për Ditën e Europës, që dëmton jo vetëm kontributet e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe imazhin dhe besueshmërinë e vendit tonë, në përpjekjet për t’u integruar sa më parë në Bashkimin Europian”, tha Meta.

Ai theksoi se e drejta e protestës, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash e kushtesh, edhe përgjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, garantohet qartësisht nga Kushtetuta.

“Kjo është një e drejtë themelore që duhet respektuar në çdo kohë dhe nga çdo autoritet”, tha ai.

Duke reaguar ndaj shoqërimit në Polici të protestuesve, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se “e njëjta gjë që ndodhi edhe dje dhe pardje, ndaj dua ta dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje prej regjimi”.

“Kjo është një shkelje elementare e të drejtave të njeriut. Ky lloj trajtimi që i bëhet në mënyrë antikushtetuese, antiligjore njerëzve që po protestojnë për të drejtat dhe liritë e tyre themelore kushtetuese, nuk ka vend, nuk ka gjasë të ndodhë në një vend që pretendon të hapë negociatat me Bashkimin Europian. Kjo është një ngjarje tipike për një regjim i cili edhe shtetin, edhe ekonominë e ka vendosur në funksion të një grushti njerëzish. Protesta e qytetarëve është një liri e patjetërsueshme. Asnjë gjendje e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtën për të protestuar. Natyrisht si kudo tjetër qytetarët marrin masa për të respektuar distancën dhe për të siguruar kushtet e higjienës personale në mënyrë që të mos shkelen ato udhëzime që kanë të bëjnë me shëndetin”, tha Basha.

 

Fraksion.com