AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë, me 8 raste të reja rritet në 880 numri i të infektuarve me COVID-19

Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) tetë persona, duke e çuar në 880 numrin e përgjithshëm të tyre.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), nuk është raportuar ndonjë rast i ri që ka përfunduar me vdekje, por 31 pacientë të rinj janë shëruar, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 653.

Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 177 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga 8 shkurti i këtij viti deri më sot janë testuar gjithsej 9.734 mostra.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Prishtinë.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 28 raste të vdekjes nga koronavirusi të cilët sipas autoriteteve shëndetësore “kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese”.

 

Fraksion.com