“Debati për kanabisin mjekësor”; Reagimet e politikës
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme gjatë konferencës për Ditën e Europës në krah të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh se pas një viti punë për pak kohë do të jetë gati drafti për ligjërimin e prodhimit të hashashit për arsye mjekësore, sikur e kanë disa vende në botë, mes tyre fqinji ynë, Maqedonia. Drafti, tha Rama është konsultuar me ekspertët e huaj.
“Kemi një vit që punojmë, edhe pak edhe do të jetë gati, asnjëherë nuk bëjmë punë pa u konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj, jemi konsultuar me ekspertë të huaj, por gjëja kryesore që ne bëjmë dhe që na ka dalë ndihmë e madhe është konsultimi me të tjerët.
Nuk kemi ardhur të shpikim, por të mësojmë nga të tjerët. Shumë shpejt drafti do të jetë gati për diskutim publik, ashtu si ai për amnistinë fiskale, që është gati po diskutohet me disa institucione ndërkombëtare” tha Rama.
Por disa orë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, Komisioni Europian dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thanë sot se “nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draftraporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore”.
“Pas kërkesave të disa medieve, ne duam të sqarojmë se Komisioni Europian dhe Delegacioni i BE nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draftraporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore”, thuhet në një njoftim për shtyp të delegacionit të BE-së në Tiranë.
Ndërkohë po gjatë ditës së sotme, kjo çështje u komentua edhe nga lideri demokrat Lulzim Basha. “Kërkoi legalizimin e kanabisit dhe ka nisur procesin e kanabisit në të gjithë vendin. Partnerët janë të informuar shumë mirë“ tha Basha.
Gjithashtu reagoi edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila përshëndeti deklaratën e BE-së për këtë çështje. “Bravo Bashkimi Europian, për distancimin e qartë nga fushata dezinformuese e Edi Ramës në keqpërdorimin e imazhit të BE-së për të justifikuar rikanabizimin e vendit për efekt elektoral”, tha Kryemadhi.
Fraksion.com