“Tregu i Wuhanit”; OBSH: Ka luajtur rol në shpërthimin e COVID-19, por nevojiten më shumë hetime
Një treg në qytetin kinez të Wuhanit ka luajtur rol në shpërthimin e koronavirusit vitit e kaluar, si burim ose ndoshta si një “ambjent nxitës”, njoftoi të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila megjithatë bëri thirrje për më shumë hulumtime në këtë drejtim.
Autoritetet kineze e mbyllën tregun në janar, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e virusit dhe urdhëruan një ndalim të përkohshëm të tregtisë dhe konsumit të kafshëve të egra.
“Tregu ka luajtur një rol në këtë ngjarje, kjo është e qartë. Por se çfarë roli ende nuk e dimë, nëse ishte burimi, mjedisi që thjesht e aplifikoi situatën apo ishte thjesht rastësi që disa raste u zbuluan aty apo rreth atij tregu“, tha doktor Peter Ben Embarek, një ekspert i OBSH-së për sigurinë ushqimore dhe viruset që të transmetohen nga kafshët tek njeriu.
Nuk ishte e qartë nëse kafshët e gjalla vetë shitësit apo blerësit e infektuar mund ta kenë sjellë virusin në treg, tha ai gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
Por sipas sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo ekziston “një sasi e konsiderueshme provash” se virusi doli nga laboratori i Wuhan-it, duke shtuar se megjithatë se kjo gjë nuk ishte e sigurt.
Asnjë provë e bërë publike nuk e lidh shpërthimin me laboratorin e Wuhanit dhe shkencëtarët thonë se koronavirusi duket se është zhvilluar në natyrë. Një raport i agjencive gjermane të zbulimit që u publikua nga gazeta “Der Spiegel”, hedh dyshime mbi pohimet e zotit Pompeo.
Eksperti i OBSH-së Ben Embarek nuk i komentoi pohimet e zotit Pompeo. Ai vuri në dukje se studiuesve iu desh një vit për të identifikuar devetë, si burim i virusit MERS (Sindromi i frymëmarrjes së Lindjes së Mesme), një lloj i koronavirusit që u shfaq në Arabinë Saudite në vitin 2012 dhe u përhap në Lindjen e Mesme, duke shtuar se: “nuk është shumë vonë”.
“Për sa i përket hetimeve, Kina ka shumë të ngjarë apo shumë mundësi, të ketë gjithë ekspertizën e nevojshme për t’i kryer ato. Ata kanë shumë studiues tejet të kualifikuar për këtë“, tha eksperti i OBSH-së .
Fraksion.com