Spanjë, 26.299 të vdekur nga COVID-19, vendi pret zbutjen e mëtejshme të masave
Spanja raportoi 229 vdekje të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19) dhe 1.095 infeksione, ndërkohë që rajonet në gjithë vendin po përgatiten t’i zbusin tutje masat kufizuese javën e ardhshme.
Gjithsej, Ministria spanjolle e Shëndetësisë ka konfirmuar rreth 223 mijë raste me COVID-19 dhe 26.299 të vdekur. Më shumë se 121.700 njerëz janë shtruar në spital dhe 131.148 janë shëruar nga sëmundja.
Të dhënat e publikuara të enjten konfirmojnë se afro 46 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor në Spanjë janë infektuar me virusin.
Të paktën 44 mjekë kanë humbur jetën nga COVID-19 në Spanjë deri më tani, sipas Kolegjit Mjekësor të Madridit.
Sot, rajonet në gjithë Spanjën po presin të informohen nga qeveria qendrore në lidhje me mundësitë e tyre për të lehtësuar më tej masat kufizuese të hënën.
Të gjitha pjesët e Spanjës, me përjashtim të pjesëve të Katalonjës dhe Castile dhe Leon, kanë kërkuar që të përparojnë në fazën tjetër të zbutjes së masave, e cila do të lejojë hapjen e disa dyqaneve, restoranteve dhe kafeve, si dhe tubime deri në 10 persona.
Epidemiologu kryesor i Spanjës, Fernando Simon, tha në një konferencë për shtyp se kriteret për të kaluar në fazën tjetër bazohen në faktorë që lidhen me shëndetin dhe jo me ekonominë.
Rajoni i Madridit ka qenë një nga më të goditurit në Spanjë, por gjithashtu ka kërkuar zbutje të mëtejshme të masave të bllokimit javën e ardhshme. Dr. Yolanda Fuentes, drejtoresha e Shëndetit Publik në Rajonin e Madridit, dje papritmas dha dorëheqje.
Isabel Diaz Ayuso, presidentja e rajonit të kryeqytetit të Spanjës, u tha mediave lokale se dorëheqja e Fuentes ishte për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kërkesës së Madridit për të lehtësuar masat.
Fraksion.com