Koronavirusi, zëdhënësja e nënpresidentit Pence rezulton pozitive
Zëdhënësja e nënpresidentit Mike Pence, rezultoi pozitive për koronavirusin. Katie Miller, Sekretarja e Shtypit e zotit Pence është edhe bashkëshortja e këshilltarit të Presidentit Donald Trump, Stephen Miller.
Diagnoza e zëdhënëses Miller u përmend nga Presidenti Donald Trump në një takim të premten me ligjvënësit republikanë, një ditë pasi një ndihmës personal i Presidentit Trump ishte testuar pozitiv.
Më herët, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany kishte konfirmuar se një pjesëtar i ekipit të nënpresidentit Pence, kishte testuar pozitiv por pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Një zyrtar i lartë i administratës theksoi se as Presidenti Trump, as nënpresidenti Pence, nuk kishin qenë së fundmi në kontakt me zonjën Miller.
Të premten, një udhëtim i nënpresidentit për në Des Moines, Iowa u vonua për mbi një orë, pasi testit pozitiv brenda ekipit të zotit Pence.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, një prej gazetarëve që shoqërojnë nënpresidentin, njofton se disa pasagjerë u panë të zbrisnin nga avioni.
Ajo citoi zyrtarin e administratës t’u thoshte gazetarëve në avion se Shtëpia e Bardhë po identifikon personat që kishin pasur kontakt me kërshilltaren dhe u kërkoi gjashtë anëtarëve të stafit të dilnin nga avioni “si masë kujdesi”.
Dy rastet e njëpasnjëshme e shtuan shqetësimin për mundësinë e infektimit për presidentin dhe nënpresidentin, të cilët kanë rifilluar një program të ngjeshur udhëtimi dhe aktiviteti së fundmi.
Shtëpia e Bardhë mori të premten në mbrojtje punën e saj për të mbajtur Presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence larg infektimit.
“Ne kemi ndërmarrë çdo masë paraprake për të mbrojtur presidentin,” tha zonja McEnany para gazetarëve në një konferencë shtypi të Shtëpisë së Bardhë. Ajo foli gjithashtu për pastrimet rregullisht të mjediseve dhe për respektimin e udhëzimeve të distancimit fizik prej dy metrash midis individëve, rregulla që jo gjithmonë janë ndjekur në eventet plot me njerëz në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne kemi bërë çdo gjë që Dr. (Deborah) Birx dhe Dr. (Anthony) Fauci na kanë kërkuar të bëjmë,” shtoi ajo, duke iu referuar dy mjekëve mjaft të respektuar në grupin e punës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë.
Po të premten, Presidenti Trump u pyet në një intervistë të televizionit Fox News nëse ata që i shërbejnë ushqimin do të përdorin maska dhe ai u përgjigj: “Ata tashmë kanë filluar.”
Shtëpia e Bardhë gjithashtu po bën çdo ditë testet koronavirusit për presidentin dhe nënpresidentin, që më parë bëheshin çdo javë. Si Trump ashtu edhe Pence testuan negativ për virusin dhe thanë se ndiheshin mirë.
Presidenti Trump tha për Fox News se ai ende nuk është testuar për antitrupat ndaj koronavirusit të ri, por që me siguri kjo do të bëhej së shpejti.
Presidenti Trump mori pjesë në një ngjarje publike në memorialin e Luftës së Dytë Botërore me veteranë të moshuar. As ai dhe as zonja e parë
Melania Trump nuk kishin vënë maska në ceremoni. Maska nuk mbanin as veteranët dhe as ushtarakët e pranishëm.
E pyetur për sigurinë e të moshuarve në ceremoni, sekretarja e shtypit McEnany tha se kjo ishte zgjedhja e tyre: “Ata zgjodhën të shkonin atje, sepse zgjodhën të vinin kombin mbi veten. Ata donin të ishin me komandantin e tyre të përgjithshëm në këtë ditë e rëndësishme,” tha ajo./voa
Fraksion.com