AktualitetEkonomiTë fundit

Koronavirusi: Qeveria instrument të tretë me fokus prodhuesit dhe turizmin

“Paketa e dytë e instrumentit financiar prej 150 milionë dollarësh është aprovuar dje në qeveri dhe deri të hënën bankat do të nisin firmosjen e marrëveshjes, çka i hap rrugën biznesit të marrë kredi jo vetëm për pagat e punonjësve, por edhe për likuiditet”, deklaroi ministri i Shtetit për Rindërtim, njëkohësisht kordinator për situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, Arben Ahmetaj.

Në një prononcim për ATSH-në, ministri Ahmetaj bëri të ditur termat e garancisë sovrane.

Sipas tij, risku që merr qeveria është 60% dhe 40% ja ka lënë bankave.

Duke folur për kushtet e kredisë, ministri Ahmetaj bëri të ditur se një sipërmarrje mund të marrë kredi deri në 30 milionë lekë. Kredia do të jepet me një interes deri në 5% dhe është një kredi për një periudhë 5-vjeçare.

Ahmetaj tha se përfshihen subjektet tregtare edhe për mjetet e xhiros dhe për asetet fikse për investime.

“Ne do ta vëzhgojmë me kujdes këtë paketë dhe në varësi të ecurisë së saj do të bëjmë gati një instrument të tretë garancie, me një fokus më të ngushtë, te sipërmarrja, kryesisht prodhuese dhe turizmi”, tha Ahmetaj.

 

Fraksion.com