AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“12 mijë vende të reja pune”; Rama: Aeroporti i Kukësit bum të madh zhvillimi gjithë zonës, potencial për turizmin malor

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e Aeroportit të Kukësit, ku vazhdon me ritme të larta puna për ndërtimin e terminalit modern të pasagjerëve, zgjerimin e pistës, krijimin e zonës së butë me infrastrukturën kritike nëntokësore, dyfishimin e hapësirës së sheshpushimit të avionëve.

Kryeministri u shpreh se pas përfundimit të terminalit duhet të mendojmë për infrastrukturën, gjithë planin e përgjithshëm që i bashkohet zonës.

“Aeroporti sjell me vete shumë lëvizje, shumë nevoja për shërbime jo vetëm për transportin për të ardhur e ikur nga këtu, por edhe hotele e shërbime të tjera. Kështu që për këtë bashkë me bashkinë do punojmë dhe do të definojmë një masterplan të përgjithshëm që do t’i japë një bum të madh gjithë Kukësit, por edhe zonën këtu do ta ndihmojë shumë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “edhe për turizmin malor ky aeroport ka një potencial të madh, pasi është komplet zonë e bllokuar dhe e fjetur”. “Për shkak të aksesit do të jetë një zhvillim i madh. Do të ulim ata nga Londra që më shajnë gjatë gjithë kohës”, tha Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi se punimet kanë ecur mirë dhe pista po shtohet me 550 metra.

“Edhe me shpronësimet nuk kemi pasur problematika deri në këto momente. Ecuria e punimeve është shumë e madhe kemi lëvizur rreth 300 mijë m3 dhe sepse këtu duhet të krijohen të gjitha tubat e drenazhimit të pistës dhe toka e butë që duhet. Ndërkohë na është dashur sipas masterplanit të bërë nga kompania holandeze për llogari të koncesionarit, të lëvizim të gjitha ndërtesat që kanë qenë brenda territorit, pasi pengonin operimin. Vendqëndrimi i avionëve ka qenë shumë i vogël, ndaj po zgjerohet dhe kanë nisur punimet dhe andej”, tha ministrja.

Lidhur me terminalin, Balluku tha se “ai është spostuar nga pozicioni i mëparshëm dhe ka filluar ndërtimi i terminalit të ri i cili do të jetë konstruksion i lehtë siç janë të gjithë terminalet moderne, me xham dhe me hekur”.

“Ndërkohë jemi duke pritur të gjitha detajet e fundit teknike nga kompania holandeze dhe më pas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të vazhdojë me të gjithë procesin që i takon lidhjes së Aeroportit me rrugët nacionale dhe me qytetin”, tha ajo.

Balluku tha se “jemi duke studiuar dhe gjithë pjesën e furnizimit me energji dhe ujë të pijshëm të zonës”. “Në bashkëpunim me bashkinë do të na duhet të bëjmë edhe një plan studimi për sa i përket zhvillimit të zonës pas ndërtimit të Aeroportit. Do të ketë edhe zhvillime të tjera sociale në zonë siç janë hotelet, parkingjet publike apo edhe shërbime të tjera të nevojshme”, tha ministrja.

Ajo theksoi se “të gjitha pajisjet që kanë qenë në aeroport fatkeqësisht janë vlerësuar si të pavlefshme pasi kanë qenë pajisje të vendosura para 10 vitesh dhe asnjëherë në punë, dhe shumë nga kompanitë që i kanë prodhuar këto pajisje dikur nuk ekzistojnë më. Ndaj, Balluku theksoi se koncesionarit do t’i duhet që në investim të ketë edhe pjesën e pajisjeve të reja.

Ministrja informoi se “kemi bërë studimin aeronautik me Albcontrol”. “Ky është një aeroport i vështirë për sa i përket ulje-ngritjeve, por i kemi dhënë një zgjidhje me gjithë konsultën e navigimit ajror italian, i cili ka bërë studimin, ekspertë të Albcontrol dhe sigurisht edhe të kompanisë holandeze që ndjek masterplanin dhe kemi arritur në pikën që zgjidhja do jepet  përmes një procedure gjatë momentit të uljes që do kryhet nga Republika e Kosovës”, tha ajo.

Ministrja Balluku theksoi se “në bashkëpunim edhe me navigimin ajror të Republikës së Kosovës kemi arritur në një përfundim që ky Aeroport është i fluturueshëm”. “Është kompleks, por pa asnjë lloj problematike më shumë për pilotët dhe për sigurinë e aviacionit që është një nga pikat më të rëndësishme për t’u përmbushur”, tha ajo.

Balluku tha se “zona e vendqëndrimit të avionit do të shtohet në një sipërfaqe pothuajse dyfishi i ekzistueses”.

Terminali prej 2600 m2 është konstruksion metalik dhe me fasada xhami dhe pritet të përfundojë brenda 2 muajsh.

Ministrja tha se “2600 m2 të këtij terminali janë të parashikuara për një funksion për rreth 10 vitet e ardhshme të këtij aeroporti, sipas masterplanit dhe studimit të fizibilitetit me mundësi për zgjerim pas operimeve 10-vjeçare me shtimin e fluksit të pasagjerëve.

Ministrja tha se “kemi pasur edhe problematikën e bllokimit nga COVID-19, pasi aviacioni fatkeqësisht është industria më e goditur për momentin. “Duke qenë se të gjithë partnerët për sa i përket dhe zhvillimit të masterplanit edhe shumë nga punimet që kryhen këtu janë partnerë të huaj, ka qenë e vështirë lëvizja dhe impenjimi i tyre në kushtet e karantinës. Ne nuk kemi ndalur punën asnjë moment, kemi qenë online me inxhinierët holandezë, por puna në terren ka qenë e vështirë. Sot mund të themi me siguri se po i rikthehemi ritmeve”, tha ajo.

Ministrja tha se “shpresojmë shumë shpejt edhe me një lehtësimin e hapjes së kufijve, duke pasur këtu edhe ekipet e huaja, puna do ecë akoma dhe më shpejt pavarësisht se jemi në ritme të kënaqshme”.

“Kemi gjithmonë problemin e furnitorëve pasi shumë kompani të huaja janë të mbyllura për momentin, por shpresojmë që deri në fillim të muajit qershor do të kemi të gjithë bazën materiale që nevojitet si këtu edhe në kantieret e tjera”, tha Ministrja.

Për sa i takon efekteve në rritjen e punësimit, ajo tha se krijohen rreth 12 mijë vende pune. ‘Nga aeroporti krijohen rreth 1500 vende pune dhe pastaj të gjitha bizneset e lidhura me të nga furnizimet, shërbimet që ofrohen e gjithçka tjetër në tërësi krijohen rreth 12 mijë vende pune”, tha ajo.

Balluku shtoi se “një nga arsyet për të cilat kemi dizenjuar shtimin e vendparkimit dhe pistës janë avionët low cost”. “Aeroporti i Kukësit është parashikuar si një aeroport low cost pikërisht për fluksin e emigrantëve që mund të kthehen edhe për zonën e Kosovës, pasi shumë nga qytet e Kosovës aksesojnë më lehtë nga aeroporti i Kukësit, por edhe për arsyen e turizmit malor”, tha ajo.

Postimi i kryeministrit Rama:

Kukës – Në kantierin e Aeroportit të Kukësit, ku vazhdon me ritme të larta puna për ndërtimin e terminalit modern të pasagjerëve, zgjerimin e pistës, krijimin e zonës së butë me infrastrukturën kritike nëntokësore, dyfishimin e hapësirës së sheshpushimit të avionëve🏔✈️🤩

#KUKËSIqëDUAM🏔🌲🌞

#ShqipëriaqëDuam🇦🇱☀️

*Mezi pres zbritjen në pistë vitin e ardhshëm të Migjenit me 132 pasagjerë nga Londra, të cilët do ta inaugurojnë aeroportin me një fluturim falas, pasi të përzgjidhen mes miqve kuksianë të kësaj faqeje, për sharjet e përqershjet më të mëdha, kur e kam premtuar ndërtimin e këtij aeroporti😉

 

Fraksion.com