AktualitetTë fundit

Shuhet në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo

Arkitekti Maks Velo është shuar në moshën 84-vjeçare. Prej një muaj ai gjendej i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi vuante nga anemia e theksuar. Velo jetonte vetëm me motrën, për të cilën kujdesej, pasi ishte në pamundësi fizike. Ceremoninë mortore për përcjelljen e Velos në banesën e fundit do ta bëjë bashkia e Tiranës.

Maks Velo (1935-2020) u lind në Paris. Por, gjithë jetën punoi në vendin e tij. Emri i tij shënohet në listën e artistëve që do të goditeshin më 1973, pas Pleniumit IV të Partisë së Punës. Një “dasmë gjaku” që filloi me “të ngremë lart frymën revolucionare dhe në art” dhe u mbyll me internime, burgime në tunele minerale, pushkatime, apo trauma të forta.

Maks Velo, ishte arkitekt në profesion, në të njëjtën kohë piktor dhe artist, anëtar i ish- Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pas shenjës së Plenumit, dënohet më 1978, sepse: vepra e tij “inspirohet nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”.

Pra i burgosur politik për artin dhe idetë, sepse nuk bënte art politik, nuk mendonte politikisht siç bëhej në Shqipërinë Komuniste. Tablotë i digjen. Vizatimet e arkitekturës e të portreteve, vizatimet abstrakte që fillojnë në vitin 1964, po ashtu dhe shumë punë në vaj e pastel të viteve 1960-’70 janë dëshmi e lëvrimit në fshehtësi të artit abstrakt e surrealist në Shqipëri.

Lirohet nga burgu në vitin 1986. Që nga koha kur në Shqipëri përmbyset diktatura, Maks Velo i kthehet jetës. Krijoi, pikturoi dhe shkroi. Është autor i disa vëllimeve me tregim “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, i veprës autobiografike “Kohë antishejë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, i albumit “Jeta ime në figura”, “Grafika të realizmit socialist” dhe së fundmi albumi me vizatime etj.

 

Fraksion.com