AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kujdes valën e dytë të COVID-it; Ekspertët: Nuk do të ketë një valë të dytë të COVID-it në vjeshtë, por qytetarët…

Komiteti Teknik i Ekspertëve  që deri më tani kishte punuar dhe raportuar mbi situatën jashtë vëmendjes së mediave, më në fund pas sulmeve të bëra, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një mbledhje online me ekspertët si një përgjigje ndaj ‘kritikëve’.

“Nuk do të ketë një valë të dytë të COVID-it në vjeshtë”, thonë ekspertët e komisionit teknik, por gjithçka mbetet në dorë të qytetarëve për të zbatuar me përpikmëri distancimin social e protokollet e sigurisë. Në një kohë kur pritet që pas 18 majit 90% e bizneseve të jetë e hapur, qeveria është ende pa një vendim se kur do të nisë transporti urban dhe ai ndërqytetas!

Ndërsa kryetarja e komitetit Teknik të Ekspertëve, zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli solli shifra, duke paralajmëruar se nëse do të arrihen në këto nivele do të bëhet prapakthehu. Megjithatë, për mjekun Tritan Kalo, kjo hapje nuk nënkupton “shqyrje”, që do të thotë do të duhet patjetër të ndiqen në mënyrë rigoroze masat e marra dhe se qytetarët do të duhet të mësohen të bashkëjetojnë me koronavirusin.

Rama prezanton Komitetin teknik të ekspertëve: Meqë shumë pyetën ‘kush janë, pse s’i njohim’

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje me ekspertët e  Komitetit Teknik. Një mbledhje e cila mes qëllimeve të tjera, vjen si përgjigje për të gjithë ata që ditëve të fundit e kanë pasur këtë komitet në fokus të akuzave, me argumentin se nuk i njohin.

“Për fat të mirë rezultatet flasin vetë, ka sa që merren me komitetin. Kush janë, pse s’i njohim”, tha mes të tjerave Rama. Në mbledhje ishin mjeku Tritan Kalo, Andi Koraqi, Najada Çomo, Sila Bino, Albana Fico, Skënder Brataj, Mira Rakacolli, ministrja Ogerta Manastirliu,  figura shumë të njohura.

Kalo: Hapja të mos konsiderohet si ‘shqyrje’! Të mësohemi të bashkëjetojmë me COVID-19! S’ka kthim të valës së madhe në vjeshtë

Mjeku Tritan Kalo tha se kurba ka qenë pozitive, po theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo hapje graduale të mos konsiderohet si “shqyrje”, e ndërsa shtoi se qytetarët duhet të mësohen se COVID-19 do të bashkëjetoj me ne!

“Jemi në një stad për të vlerësuar 7 element, sjellja në mjedise familja,e sjellja në publik, distancimi publik, përdorimi i maskave, higjiena individuale ka bërë që të jemi në parameta normale. E rëndësishme, me hapjen graduale, ajo që mua si specialist më brengos që hapja të mos konsiderohet si shqyrje, por të respektojnë rregullat duke bindur veten që do jetojmë në një kohë ku rreth nesh ka COVID-19. Nëse do të bindemi, kam qartësinë e mendimit se do jemi në një situatë optimale! Nuk do të kemi kthim të valës së madhe të COVID në vjeshte, por do të jetë i përzërë me infeksione të tjera. Për sa kohë nuk kemi një vaksinë, do të jetë vetë imunizimi aktiv i popullatës që do të shkaktojë zhdukjen e koronavirusit. Jemi në momente të dobishme që duhen ruajtur”, tha Kalo.

Silva Bino: Kemi trefishuar testimet, metoda të reja për gjetjen e rasteve aktive

Doktoreshë Silva Bino theksoi gjatë mbledhjes se është trefishuar numri i testimeve për të zbuluar rastet aktive. “Situata duket jo keq, kemi trefishuar testimet këtë muaj dhe është 5% pozivititet. Për shembull kemi nën 5%, pra 3%, një indikator që duhet ta ruajmë, prandaj po marrim masat të rrisim numrin e testimeve dhe të gjejmë rastet aktive. Po përdorim disa metodika të reja për gjetjen aktive të rasteve, duke përfshirë mjekun e familjes. Aktualisht kemi dy qytete transmetim të virusit, Tirana dhe Kruja, dhe vetëm në Shkodër kemi evidentuar raste. Në zonat e gjelbra janë pa raste, pavarësisht rritjes së testimeve” tha ajo.

Edhe drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se “Po rrisim testimet, por po angazhohemi për një fushatë komunikimi për masat lehtësuese. Duket sikur do të jetë një përsëritje e ‘lani duart…etj.’ Kanë përfunduar protokollet për grupimet e bizneseve të reja që do të vijojnë normalisht në monitorim. Dhe besoj se do të vijojmë me këto shifra inkurajuese, mbase do të jemi në gjendje që vlerësimi i lehtësimit të masave të mos bëhet në harkun e intervaleve dy javore, por një javore, më dinamikë” tha ajo.

Rama i shqetësuar nga vala e dytë e COVID-it: Mos harroni që armiku është mes nesh

Kryeministri Edi Rama kishte një tjetër apel për qytetarët që gjatë procesit të rihapjes graduale nuk duhet të harrojnë masat për COVID-in, pasi mund të kemi një valë të dytë. “Jam i shqetësuar për mundësinë që në kushtet e hapjes njerëzit të fillojnë të harrojnë që faktikisht jemi të hapur, por armikun e kemi mes nesh dhe nuk respektojmë rregullat e thjeshta, mund të biem pre një evazioni tjetër, sepse vala e dytë nuk është një riardhje e virusit, por një dorëzim i njerëzve për shkak të sjelljes së gabuar në pushtetin e virusit që është këtu. Kjo është sfidë e madhe, por shpresojmë që njerëzit do të vijojnë të bëjnë si duhet detyrat e tyre të thjeshta, sidomos kur hyjnë në mjedise të mbyllura, qendra tregtare, etj”.

Rama: Po punojmë për të gjetur një formulë për rihapjen e transportit me autobusë e furgonë

Në datë 18 maj me futjen në fuqi të masave të reja lehtësuese për grupin e biznesit që do të rihapen, kryeministri Edi tha se shqetësimi i vetëm mbetet transporti brenda dhe ndërqytetas, ku po punohet për të gjetur një formulë. “Deri në 90% e kusur është liruar deri në datë 18 maj. E vetmja gjë që mbetet shqetësim mbetet transporti publik me autobusë apo furgonë ndërqytetas, apo në qytet, po shikojmë të gjejmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. Nuk e dimë si mund të jetë. Pjesa tjetër po çlirohet duke evituar grumbullimet” tha ai.

Brataj: Të prekurit me COVID asimptomatik janë ndërgjegjësuar!Kërkojnë shërbim në banesë, jo të shtrohen në spital

Drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj ka dhënë detaje lidhur numrin e telefonatave në shërbimin Urgjencës, teksa shprehet se ka një ndërgjegjësim të qytetarëve, të cilët nuk i drejtohen menjëherë spitalit.

“Pranë vijës së Urgjencës, numri i thirrjeve ka rënë shumë 222 mijë thirrje që nga 9 marsi! Një gjë pozitive është numri i uljes së vizitave, nga 600 është 300! Të sëmurët COVID-19 kërkojnë të trajnohen në banesë, janë ndërgjegjësuar, nuk duan të shkojnë në spital, e shohin që pjesa më e madhe janë asiptomatik. 2 ambulanca në Tiranë dhe 5 të tjera me respirator që i kemi përdorur shumë pak”, tha Brataj.

Rama: Ja kush është kryetarja e Komitetit të Ekspertëve se na çmendën

Mira Rakacolli është kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve për COVID-19. Ajo është prezantuar nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk i ka kursyer ironitë. “Po doktoreshë Mira, se ka pasur pyetje, kush është kryetari, na cmendën, është një grua, ja kush është”,-tha Rama.

Rakacolli flet me gjuhën e shifrave: Ja sa duhet të jenë rastet ditore dhe shtrimet që do frenojnë masat

Mira Rakacolli, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ka dhënë argumente se përse është marrë vendimi për lehtësimin e masav, duke folur me gjuhën e shifrave.

“Nuk do të kishim lehtësim të masave, nëse do të kishim 15 raste mbi mesataren, nëse numri i shtrimeve do të ishte te 90 dhe ato që do të ishin në terapi intensive mbi 20. Jemi brenda numrave, treguesit që janë flasin që e kemi të kontrolluar! Duke fuqizuar survejancës, duke shtuar kujdesin shëndetësor dhe njëkohësisht duke shkruar kontrollet. Ne mendojmë që strategjia që ju kemi propozuar ka ecur mirë, dhe të vazhdojmë kështu. Do të ketë edhe një vlerë, ajo që u prezantuar është problemi i studimit të imunizimit që të shikojmë si do të jetë vijimësia nëse do jemi përballë një vale të dytë apo që ky virus do të jetë në listën e infeksioneve të mundshme”, tha Rakacolli.

Rama: Pas 18 majit rihapen fluturimet, sfidë karantinimi i atyre që do të hyjnë

Në kuadër të rihapjes graduale që po bëhet, kryeministri Edi Rama shprehu një tjetër shqetësim pas momentit të rinisjes së fluturimeve nga ajri dhe hyrjeve nga vendet e tjera nga kufijtë tokësorë. Për kryeministrin, sfidë do të jetë respektimi i rregullave të karantinimit.

“Do të konsultojmë me ju të gjitha masat. Deri në datë 18 janë ato që janë pastaj do të vijë procesi i hapjes dhe flukseve për të hyrë në Shqipëri nga ajri apo toka, aty do të jetë një tjetër sfidë për të respektuar rregullat e karantinimit në shtëpi për ata që do të hyjnë në Shqipëri. Do të ishte mirë që ministria e Shëndetësisë të përgatisë disa materiale sensibiluzuese për qytetarët në kushtet e rihapjes për kujdes dhe respektimin e masave” tha Rama.

COVID-i para marsit në Shqipëri? Rama i pyet, ekspertët: Nuk ka pasur kurrsesi raste

Lidhur me deklaratat se virusi në Shqipëri ka hyrë para marsit, kryeministri Edi Rama për t’i dhënë fund debatit pyeti ekspertët e komitetit teknik.  Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë Andi Koraqi u shpreh “Nuk mendoj se kemi pasur COVID nga janari apo më parë, sëmundja ka ardhur nga Italia. Edhe nga rezultatet që shoh, nuk është një pjesë shumë e lartë e popullsisë që e ka kaluar”, u shpreh Koraqi.

Ndërkohë që shefja e Infektivit, Najada Çomo deklaroi se “Në janar ne kemi fluks të shtuar pacientësh për shkak të ekzistencës së gripit. Që në fund të janarit ne kemi pasur një vëmendje të shtuar, pasi kemi pasur persona të ardhur nga Kina, por nuk ka pasur raste. I përgjigjem zyrtarisht pyetjes, se në Shërbimin Infektiv nuk ka pasur kurrsesi persona të infektuar nga Covid-19 më herët” tha ajo.

 

Komiteti Teknik i Ekspertëve

Kryetarja Mira Rakacolo (zv. ministrja e Shëndetësisë)
Anëtarë
Ministrja Oferta Manastilriu
Kreu i Urgjencës Skënder Brataj
Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico
Shefja e Departamenti i Epidemiolgojise  Silva Bino
Shefja e Infektivit Najada Çomo
Mjeku Tritan Kalo
Mjeku Andi Koraqi