AktualitetKosovaTë fundit

Policia e Kosovës arreston dy persona për ndërhyrje në sistem kompjuterik

Policia e Kosovës njoftoi se të enjten ka arrestuar dy persona, për keqpërdorim të kartelave bankare dhe ndërhyrje në sistem kompjuterik.

Në njoftimin e policisë, nuk bëhen të ditura detaje tjera lidhur me këta dy persona.

“Të dyshuarit me veprime të paligjshme përmes kompjuterëve kanë arritur të marrin në posedim të dhëna të shumta personale përfshirë kartela bankare, email adresa dhe fjalëkalime dhe pastaj në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes këtyre të dhënave dhe kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në fund të muajit mars, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë rritur rastet e sulmeve kibernetike.

Situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit SARS-COV-2, sipas policisë, po shfrytëzohet nga persona keqbërës, të cilët keqpërdorin mundësitë teknologjike dhe internetin, me qëllim përfitimi material, por edhe qëlllime tjera të paligjshme.

“Që nga fillimi i shfaqjes së pandemisë COVID-19 është vërejtur një rritje e profileve të rrejshme në rrjete sociale, përmes të cilave keqbërësit kibernetikë kanë tentuar të përfitojnë duke dezinformuar me lajme të rrejshme. Gjithashtu, vërehet një rritje e lehtë në rastet që kanë të bëjnë me veprat penale ‘Hyrje në sistemet kompjuterike’ dhe ‘vjedhje e identitetit’, ku kryesisht keqbërësit kanë tentuar në mënyra të ndryshme të përfitojnë”, thuhej ndër të tjera, në njoftimin e policisë.

 

Fraksion.com