AktualitetKosovaTë fundit

Kurti: Kosova duhet të ndërtojë marrëdhënie reciproke me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albanin Kurti deklaroi mbrëmjen e sotme se “mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë pas 51 ditësh, u organizua nga partneri ynë  në një koalicion (LDK) në momentin e kërkesës së Presidentit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”.

Kurti tha se “në mes të muajit Mars kur kishim vetëm 19 të infektuar me Covid-19 dhe asnjë të vdekur, Presidenti u orvat të krijonte një shumicë institucionale parlamentare për të shpallur mosbesimin”.

I pyetur se përse LDK iu bashkua kësaj lëvizje të Thaçit, Kurti u shpreh se “ata u vunë në krah të Presidentit në një mënyrë të paarsyeshme për shkak se organizmat shtetërorë po zotëronin me shumë sukses kundër pandemisë Covid-19, por pavarësisht suksesit të qeverisë së Kosovës, morën anën e Presidentit. Paraprakisht unë isha i detyruar të shkarkoj ministrin e Brendshëm i cili në kundërshtim me suksesin e policisë së Kosovës mori anën e Presidentit”.

Sa i përket heqjes së taksës ndaj Serbisë dhe nëse kishte rënë dakord me kreun e LDK-së për këtë, Kurti tha se “edhe në marrëveshjen tonë të koalicionit edhe në programin qeverisës ne kishim shkruar që taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet të plotë të Serbisë, por kreu i LDK dhe një pjesë e udhëheqjes së tyre kërkoi heqjen e taksës”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës deklaroi se ka qenë në komunikim intensive edhe me ambasadorin Grenell.

“Ai ka pasur fillimisht qëndrimin që Kosova duhet të heqë taksën 100% dhe Serbia të pushojë fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të dytën e tërhoqi pas takimeve në Beograd, jo vetëm kaq, por u deklarua edhe kundër reciprocitetit, ky ishte kulmi për mua. Vazhdova të komunikoj me të në mënyrë konstruktive dhe pozitive, por nuk mund të pranoj që Kosova të mos ndërtojë marrëdhënie reciproke me Serbinë, kur reciprociteti është parimi i shëndoshë për marrëdhënie korrekte bilaterale dhe fqinjësore. Grenell e kishte më të rëndësishme kohën e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi se sa tekstin, ndërsa unë jam i fokusuar te shkrimi në përmbajtjen e marrëveshjes, ai te nënshkrimi”, sqaroi Kurti.

 

Fraksion.com