AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Basha takon përfaqësuesit e agrobiznesit: Të rritet financimi me grante për fermerët

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka pritur sot në takim përfaqësuesit e 37 shoqatave me të cilët ka diskutuar për situatën ekonomike në sektorin e agrobiznesit dhe bujqësisë.

Në takim merrnin pjesë presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj dhe drejtoresha ekzekutive Enisa Shena të cilët, sipas njoftimit nga PD, i paraqitën sot me shifra dhe detaje kryetarit Basha situatën e vështirë të sektorit të zinxhirit ushqimor.

Kryetari i Opozitës, Basha shprehu mbështetjen për kërkesat e drejta të fermerëve dhe sektorit të agrobiznesit dhe së bashku me përfaqësuesit e KASH ndanë si prioritete urgjente për përballimin e krizës disa hapa.

Disa nga këto hapa, sipas Bashës janë barazimi i TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar të gjithë zinxhirin e  prodhimit agroushqimor i vendit, përfshirja e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë.

“Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimet së nesërmes. Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë së COVID-19”, tha ai.

Basha shtoi se “sot, shqiptarët po rrënohen ekonomikisht çdo ditë e më shumë. Çdo biznes, përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveri situatën pandemia shëndetësore COVID-19 do të shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020”.

 

Fraksion.com