AktualitetBota+Të fundit

AP: Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë udhëzimet e CDC për rihapjen e vendit

Një seri dokumentesh të hollësishme të krijuara nga hetuesit kryesorë të sëmundjeve në vend, që kishin për qëllim t’i jepnin këshilla hap pas hapi drejtuesve lokalë që do të vendosin se kur dhe si do të rihapen hapësirat publike si transporti publik, çerdhet e fëmijëve dhe restorantet gjatë pandemisë, janë hedhur poshtë nga administrata Trump.

Raporti prej 17 faqesh i një ekipi të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, me titull “Udhëzimi për Zbatimin e Kornizës së Hapjes së Amerikës përsëri”, u hulumtua dhe përpilua për të ndihmuar udhëheqësit fetarë, pronarët e bizneseve, mësuesit dhe zyrtarët shtetërorë e lokalë ndërsa ata fillojnë rihapjen.

Raporti ishte në plan të publikohej të premten e kaluar, por shkencëtarëve të agjencisë u është thënë se ai “kurrë nuk do ta shohë dritën e ditës”, sipas një zyrtari të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Zyrtari nuk ishte i autorizuar të fliste me gazetarët dhe foli me agjencinë Associated Press me kusht që të mos zbulohej emri i tij.

Associated Press mori një kopje nga një zyrtar i dytë federal që nuk ishte i autorizuar ta publikonte atë. Udhëzimi u përshkrua në disa artikuj të agjencisë Associated Press javën e kaluar, përpara vendimit të Shtëpisë së Bardhë për ta hedhur poshtë.

Administrata e Presidentit Trump ka kontrolluar nga afër lëshimin e udhëzimeve dhe informacioneve gjatë pandemisë së koronavirusit që shkencëtarët ende po përpiqen ta kuptojnë, me vetë Presidentin që drejtonte konferencat e përditshme për shtyp deri në javën e kaluar.

Tradicionalisht, ka qenë roli i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve për t’u dhënë zyrtarëve publikë dhe vendorë udhëzime dhe informacione të bazuara në shkencë gjatë krizave të shëndetit publik. Megjithatë, ajo nuk ka mbajtur një konferencë të rregullt shtypi, të lidhur me pandeminë, në gati dy muaj. Drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, Dr. Robert Redfield ka qenë anëtar i grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, por kryesisht ka munguar në paraqitjet publike.

Mungesa e informacionit për publikun në kohë reale nga ekspertët e vendit është konsideruar si e rrezikshme nga shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë të shëndetësisë.

“CDC ka qenë gjithmonë agjensia e shëndetit publik të cilës amerikanët i drejtohen në kohë krize,” tha Dr. Howard Koh, profesor i Harvardit dhe ish-zyrtar i shëndetësisë në administratën Obama gjatë pandemisë së gripit të derrit H1N1 në vitin 2009. “Standardi në një kohë krize është t’u drejtohemi atyre për të dhënat dhe udhëzimet më të fundit dhe konferencave të tyre më të fundit për shtyp. Kjo nuk ka ndodhur (gjatë kësaj pandemie) dhe të gjithë e shohin këtë.”

Administrata e Presidentit Trump në vend të kësaj ka vendosur t’ua lërë në dorë shteteve masat për reagimin ndaj Covid-19. Kjo qasje e menaxhimit të pandemisë është reflektuar në deklaratat publike të Presidentit Donald Trump, nga pohimi se ai nuk është përgjegjës për mungesat fillestare të testimit në vend, deri në përshkrimin e tij javën e kaluar të rolit të qeverisë federale si një “furnizues i zgjidhjes së fundit” për shtetet që kanë nevojë për ndihmë me testet.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany ritheksoi këtë qasje në një konferencë shtypi të mërkurën. “Ne jemi konsultuar individualisht me shtetet, por siç thashë, kjo është (një) përpjekje e udhëhequr nga guvernatorët. Është një përpjekje e udhëhequr nga shtetet, me të cilat qeveria federale do të konsultohet. Dhe ne e bëjmë këtë çdo ditë.”

Raporti për rihapjen, i hedhur poshtë nga administrata, u përshkrua nga një prej zyrtarëve federalë si një dokument i rëndësishëm që duhej të përdorej si një plan për grupet e tjera brenda Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, të cilët po përpilojnë udhëzime të ngjashme për rihapjen e objekteve të tjera.

Udhëzimi përmbante këshilla të hollësishme për marrjen e vendimeve specifike në lidhje me rihapjen e shkollave, restoranteve, kampeve verore, kishave, çerdheve të fëmijëve dhe institucioneve të tjera. Ai ishte shpërndarë brenda Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe përfshinte “një proces të hollësishëm vendimesh”, që do të duhej të përdoreshin nga zyrtarët lokalë në skenarë të ndryshëm. Një faqe e dokumentit mund të gjendet në faqen e internetit të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve përmes motorëve të kërkimit, por nuk duket se është e lidhur me ndonjë faqe tjetër të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjes.

Disa nga sugjerimet e raportit tashmë janë publikuar në faqet e internetit të agjencive të ndryshme federale. Por udhëzimet e raportit të hedhur poshtë, ofronin rekomandime specifike, të përshtatura për rihapjen në një vend.

Për shembull, raporti sugjeronte që restorantet dhe baret duhet të instalojnë mburoja për teshtitjet tek kasa dhe të shmangin banakët e hapur të ushqimit, si ato të sallateve dhe pijeve. Udhëzime të ngjashme janë publikuar në faqen e internetit të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe atë të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve.

Por, raporti i hedhur poshtë, thoshte gjithashtu se ndërsa restorantet fillojnë të shërbejnë ushqime brenda, ato duhet të krijojnë hapësira prej të paktën dy metrash mes tavolinave dhe të përpiqen të përdorin aplikacionet në telefonat celularë për të njoftuar klientët kur janë gati tavolinat e tyre për të shmangur prekjen dhe përdorimin e pajisjeve portative me zile që tani përdoren nga shumë restorante. Kjo këshillë nuk është tani në faqen e internetit të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

“Ju mund të thoni se restorantet mund të hapen dhe ju duhet të ndiqni udhëzimet për distancimin fizik. Por, restorantet duan të dinë se si do dukej kjo. Shtetet do të donin më shumë udhëzime”, tha Dr. Marcus Plescia, zyrtar i lartë mjekësor i Shoqatës së Zyrtarëve të Shteteve dhe Shëndetit Territorial.

Udhëzimet e vetë Shtëpisë së Bardhë, të përmbledhura në dokumentin “Rihapja e Amerikës” të lëshuara muajin e kaluar ishin më të paqarta sesa raporti i papublikuar i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Ato udhëzuan qeveritë e shteteve dhe ato lokale të rihapeshin në përputhje me “rregulloret dhe udhëzimet” federale dhe lokale, dhe të monitoronin punonjësit për simptoma të Covid-19. Udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë përfshijnë gjithashtu këshilla të përpiluara më herët në fillim të pandemisë, që vazhdojnë të jenë të rëndësishme si distancimi fizik dhe inkurajimi i punës nga shtëpia.

Më 16 prill, Presidenti Trump lëshoi udhëzime për rihapjen e Amerikës. Këto udhëzime sqaruan se secili shtet duhet të hapej në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme bazuar në të dhënat dhe masat e tyre përkatëse. Nxjerrja e udhëzimeve tepër specifike, që udhëheqja e CDC-së nuk i miratoi kurrë, mbi mënyrën se si duhet të bëhet hapja e llojeve të ndryshme të bizneseve do të ishte shumë normative dhe e gjerë për rrethanat e ndryshme që mbizotorojnë në shtetet e ndryshme të vendit. Udhëzimet për zonat rurale në Tenesi nuk duhet të jenë të ngjashme me ato për qytetin e Nju Jorkut. Për disa nga këto arsye, ekipi i punës i Shtëpisë së Bardhë që i ka parë ato pas rrjedhjes në media, kërkoi që të bëheshin rishikime të caktuara për të mos ndjekur vetëm fazat në dokumentin “Udhëzimet për Rihapjen e Amerikës”, por ato që funksionojnë për të gjithë Amerikën qoftë në zona rurale apo edhe në ato urbane.

Një person i afërt me ekipin e punës të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin tha se dokumentet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve nuk ishin miratuar asnjëherë nga udhëheqja e agjencisë për publikim. Personi tha se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk duan të ofrojnë udhëzime të hollësishme për mënyrën sesi sektorët specifikë mund të rihapen, duke e quajtur atë një mundësi për keqinterpretime, sepse virusi po prek pjesë të ndryshme të vendit me intensitet të ndryshëm.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve po komunikon çdo ditë me departamentet e shëndetësisë të shteteve dhe rretheve që kërkojnë informacion të vlefshëm shkencor për të marrë vendime të informuara.

Megjithatë, prapa skenave, shkencëtarët e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, si ata që përpiluan udhëzimet për “Rihapjen e Amerikës”, po punojnë në gjetjen dhe dërgimin e informacioneve për qeveritë lokale. Agjensia punëson qindra epidemiologë dhe mjekë, nga më të respektuarit në botë, ekspertiza e të cilëve përdoret në kohë krize, tha ish-drejtori i Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve, Tom Frieden. Faqja e internetit për koronavirusin e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve ka marrë më shumë se 1.2 miliardë klikime.

Shtetet që komunikojnë drejtpërdrejt me Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve mund të kenë qasje në udhëzimet e përgatitura, por që nuk janë publikuar ende nga Shtëpia e Bardhë.

“Unë mendoj se asnjë shtet nuk mendon se Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve është me mangësi. Është thjesht procesi i marrjes së informacionit,” tha zoti Plescia.

 

Fraksion.com