Vuçiç – Michel: BE e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor
Bashkimi Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor janë duke ndërvepruar së bashku në kushte të pandemisë COVID-19, theksuan presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel gjatë një bisede telefonike.
Ata folën përpara samitit të sotëm midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet me video konferencë.
Sipas kabinetit të tij, Vuçiç falënderoi BE-në për ndihmën ndaj popullit të Serbisë, ndërsa Michel theksoi solidaritetin që Serbia ka treguar duke ndihmuar njerëzit e Italisë dhe duke ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Michel tha se BE është e përkushtuar në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për forcimin dhe intensifikimin e mbështetjes për reformat politike, ekonomike dhe sociale në rajon. Ai theksoi se BE ka ndarë 3,3 miliardë euro për të ndihmuar rajonin, duke pasur parasysh pasojat e COVID-19 në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Është biseduar për hapat e ardhshme të rrugës evropiane të Serbisë, ndërsa Vuçiç tha se Serbia vazhdon procesin e reformave dhe synimin e anëtarësimit në BE.
Është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal, duke theksuar përcaktimin e Serbisë për politikë të paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur nga kabineti i Vuçiçit.
Fraksion.com