AktualitetKosovaTë fundit

Një shtetase e Kosovës akuzohet për pjesëmarrje në grup terrorist

Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër një gruaje me inicialet, D.D, për veprën penale, ”organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Prokuroria Speciale ka thënë se e pandehura në fjalë, me qëllim të bashkëngjitjes në grupin terrorist, Shteti Islamik (IS) në Siri, është larguar nga Kosova përmes vendkalimit kufitar, Hani i Elezit.

Sipas Prokurorisë, përmes Stambollit ajo është takuar në Siri nga a bashkëshorti i saj me inicialet B.S., nga Shkupi, militant i IS-it.

“E pandehura D.D., është trajnuar nga i njëjti për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake. Po ashtu, e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D.S., pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, e që edhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.

Konflikteve në Siri dhe Irak konsiderohet se u janë bashkëngjitur rreth 400 kosovarë, përfshirë, burra, gra dhe fëmijë.

Më 19 prill të vitit të kaluar, Kosova ka kthyer 110 qytetarë të saj nga Siria duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë të huaj./rel

 

Fraksion.com