AktualitetTë fundit

“Geni i veçantë në ADN dhe vaksinimi, mjeku: Ja pse jemi më të mbrojtur; Të krijohet imuniteti i tufës

Mosha mesatare e popullsisë, vaksina e turbekulozit, por edhe mutacioni që mund të ketë pësuar virusi, janë vetëm disa nga hipotezat e ngritura sot mbi atë që është duke ndodhur në botë, ku disa vende janë goditur më fortë nga COVID-19 dhe disa të tjera kanë qenë më imune, përfshirë këtu edhe vendin tonë.

Profesor Alketa Koroshi pohon që përveç vaksinave, nuk përjashtohet që popujt e Ballkanit të kenë një gen të veçantë, më ndryshe nga popujt e tjerë të Europës.

“Shihet që në vendin tonë ka një prekje më të vogël dhe agresiviteti i virusit është më i zbutur, gjë që ka rezultuar në vdekje më të pakta, në krahasim me vendet e Europës Perëndimore. Mundet të jetë efekti i vaksinave të bëra më parë kundër tuberkulozit, por kjo nuk është vërtetuar shkencërisht. Nuk përjashtohet që popujt e Ballkanit të kenë një gen të veçantë, pra një ADN më ndryshe nga popujt e tjerë të Europës”, bën me dije profesori.

Prof. Alketa Koroshi

Në vendin tonë janë konfirmuar 803 persona pozitivë me COVID-19. Ka hipoteza që virusi mund të ketë qarkulluar më herët, përkatësisht në janar dhe shkurt. Mendoni që duhet të kryhet testimi serologjik për popullatën, për të kuptuar shtrirjen e këtij infeksioni, njëkohësisht për t’u ballafaquar edhe me situatën reale?

Së pari, duke ju falënderuar për ftesën e për pyetjet që më bëni, më duhet t’ju them se duke mos qenë specialist virolog, imunolog dhe as infeksionist i mirëfilltë, besoj që në përgjigjet e mia duhet të më kuptoni që i bazoj mbi kulturën e përgjithshme mjekësore dhe informacionet e marra nga të katër anët, në këtë periudhë që më kanë tërhequr, pasi problemi i infeksionit nga koronavirusi është shumë akut dhe është një problem i madh jo vetëm mjekësor, por edhe social. Së dyti, në mjekësi nuk ka gjëra të ndara me thikë dhe sëmundja e COVID-19 mund të bashkëshoqërohet ose mund të komplikohet nga prekja dhe dëmtimi i organeve të tjera, duke përfshirë hipertensionin arterial, zemrën, diabetin por edhe veshkat, që janë specialiteti im. Natyrisht që ky infeksion virusal nuk mund të përjashtohet të ketë ekzistuar më parë, madje që në muajt janar ose shkurt, por për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e autoriteteve të mjekësisë, paditurisë dhe maskimit që ka pasur nga grip i zakonshëm (pasi shenjat klinike janë shumë të ngjashme me të), ato muaj është përhapur dhe madje është trajtuar si një grip i zakonshëm nga mjekët e shërbimit ambulator parësor. Ju e dini që virusi ende sot nuk ka një mjekim definitiv që ta luftojë atë pavarësisht nga tentativat me medikamente të ndryshme që bëhen në të gjithë botën. Së fundmi, doja të përmendja si një mjekim premtues trajtimin e të sëmurëve me plazmë nga njerëzit që e kanë kaluar sëmundjen më parë. Sidoqoftë, e vetmja zgjidhje përfundimtare do ishte vaksinimi në masë i popullsisë. Vaksinimi i popullsisë dhe përhapja e infeksionit në mbi 70% të popullsisë të përgjithshme janë dy mënyrat e vetme për të krijuar atë që quhet imuniteti i tufës. Masat drastike të izolimit të popullsisë, të karantinës, të higjienës personale, të distancimit fizik etj., nuk e zhdukin infeksionin, por thjesht e ngadalësojnë përhapjen e tij. Këto masa bëhen me qëllim që kurba e përhapjes së infeksionit të mos jetë shumë vertikale, në mënyrë që të mos mbingopet e kolapsohet sistemi shëndetësor dhe së dyti, të vonohet përhapja e sëmundjes derisa të vijë koha e krijimit të vaksinës që e zgjidh përfundimisht problemin. Por, pa u krijuar imuniteti i tufës, nuk zhduket infeksioni. Shifrat që jepen përditë nga autoritetet mjekësore mbi përhapjen e infeksionit dhe mbi numrin e vdekjeve janë shumë relative, se në to ndërhyjnë shumë faktorë. E para është që kjo varet nga shkalla e diagnostikimit nga niveli e numri i testimeve për të verifikuar mbartësit e virusit, nga rezultate fals pozitive apo fals negative të analizave, nga agresiviteti i virusit që herë është me simptoma të shprehura klinike dhe herë është pa simptoma fare. Sidoqoftë, ekzaminimi me tamponë, për të gjetur mbartësit, ka vlerë sidomos për të zbuluar vetrat në grupe të të sëmurëve. Për sa i përket testimit aerologjik, ky bëhet për të parë nëse një njëri e ka kaluar sëmundjen më parë apo jo. Kjo ka vlerë epidemiologjike, nuk e ndalon përhapjen e infeksionit nga COVID-19. Nga ana tjetër, akoma nuk ka dëshmi të sigurta që ky test serologjik, që vërteton gjetjen e antikorpeve të tipit IgG apo IgM në gjak, të vërtetojë që antikorpet në gjak të jenë krijuar nga kalimi i COVID-19 apo nga ndonjë infeksion tjetër virusal i mëparshëm. Pra, ka pasiguri në botën mjekësore, nëse ka imunitet në këta persona me antikorpe të pranishme në serumin e tyre apo s’ka imunitet, dhe nëse ky imunitet është i shkurtër apo i zgjatur në kohë.

Profesor, nga 229 persona që janë të infektuar aktivë, 34 janë duke marrë trajtim mjekësor të specializuar, pjesa tjetër janë duke u ndjekur në kushte shtëpie nga mjeku i familjes. Mendoni që kjo e përkeqëson situatën e tyre?

Thënë ndryshe, a ka predispozitë ky infeksion të shfaq komplikacione, që mund të jenë të parikuperueshme në momentin që nuk ofrohet menjëherë trajtimi spitalor? Është e pamundur që gjithë njerëzit e infektuar me virusin COVID-19 të trajtohen në kushte spitalore. Ka shumë njerëz që janë asimptomatikë ose që kanë simptoma të lehta dhe këta përbëjnë shumicën dërrmuese të të prekurve. Në spital do trajtohen vetëm ata me simptoma të shprehura, që kanë nevojë për asistencë mjekësore më të kualifikuar. Pjesa tjetër duhet të trajtohet detyrimisht nga mjeku i familjes. Veç asaj, shumë pacientë me infeksionin viral të sipërpërmendur kanë sëmundje bashkëshoqëruese, të cilat njihen më mirë dhe trajtohen më mirë nga mjeku i familjes. Kështu, dihet që më të predispozuar për të kaluar një formë më të rëndë të sëmundjes kanë pacientët me sëmundje të zemrës, me hipertension arterial apo diabetikët. Ky infeksion virusal nuk është thjesht klinikisht vetëm problem i infeksionisteve. Duhet kujdes nga shumë specialiste, sepse koronavirusi nuk dëmton vetëm mushkëritë, por dëmton edhe veshkat edhe zorrët, edhe zëmrën, edhe mëlçinë. Madje mund të shkaktojë edhe çrregullime të sistemit nervor dhe të enëve të gjakut. Në shumë raste, koronavirusi thellon komplikacionet për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera, çka e bën gjetjen e një mënyre efikase për shërimin e tyre edhe më të paqartë. Për shembull, statistikat e deritanishme tregojnë që 15-30 % e pacientëve, që kanë hyrë në terapinë intensive në New York dhe Wuhan, kanë humbur funksionin e veshkave dhe kanë nevojë tashmë për dializë. Gjysma e pacientëve të shtruar në spital për t’u kuruar nga COVID-19, kanë shfaqur gjak në urinë e albuminë në urinë, çka tregon për dëmtim të veshkave. Studime të tjera kanë treguar së 40% e pacientëve kanë pasur aritmi të zemrës dhe dëmtime të tjera kardiake. Pra, ky infeksion nga virusi COVID-19 prek shumë sisteme dhe organe.

Vendi ynë bën pjesë te vendet më imune ndaj COVID19. Shumëkush nga ne mendoi që ajo që ndodhi në Italinë fqinje do të ishte një realitet i prekshëm edhe për ne, por edhe pse lufta s’ka përfunduar, mund të themi që “goditja” nuk ka qenë aq e rëndë saç ishte parashkruar në skenarin më të keq. Ç’mendoni që na ka favorizuar?

Shihet që në vendin tonë ka një prekje më të vogël dhe agresiviteti i virusit është më i zbutur, gjë që ka rezultuar në vdekje më të pakta në krahasim me vendet e Europës Perëndimore. Mundet të jetë efekti i vaksinave të bëra më parë kundër tuberkulozit, por kjo nuk është vërtetuar shkencërisht. Nuk përjashtohet që popujt e Ballkanit të kenë një gen të veçantë, pra një ADN më ndryshe nga popujt e tjerë të Europës.

Si i vlerësoni masat e marra dhe planin e rihapjes që ka nisur të zbatohet?

Masat e marra e kanë zbutur vertikalitetin e kurbës së përhapjes së infeksionit dhe natyrisht që duke parë rrezikun e ulët të infeksionit dhe të vdekshmërisë, duhen të vihen në balancë nevojat ekonomike dhe zbutja graduale e masave, ndonëse sëmundshmëria nga ky virus ka akoma të panjohurat e veta.

 

Fraksion.com