Turqi, presidenti Erdoğan njofton hapat e para pas koronavirusit
Turqia gradualisht do të ndërmarrë hapa të reja për të filluar normalizimin pas koronavirusit të ri (COVID-19), njoftoi presidenti Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim televiziv, Erdoğan tha se kufizimet e udhëtimit do të hiqen së pari në shtatë qytete, përkatësisht në Antalya, Aydın, Erzurum, Hatay, Malatya, Mersin dhe Muğla.
Ai shtoi se Fushata e Solidaritetit Kombëtar për të mbledhur para për të luftuar virusin dhe ndikimin e tij kishte mbledhur donacione në vlerë prej rreth 1.91 miliardë lira turke (271 milion dollarë).
Erdoğan gjithashtu tha se Turqia do të rihapë edhe sallonet e flokëve dhe qendrat tregtare më 11 maj, ndërsa njerëzve mbi moshën 65 vjeç do t’u lejohet të dalin jashtë për katër orë në ditë.
Nga 13 maji, fëmijët deri në moshën 14 vjeç do të mund të dalin jashtë nga ora 11:00 deri në 15:00, ndërsa personat e moshës 15-20 do të mund të dalin nga 15 maji sipas kushteve të njëjta.
“Asnjë nuk do të jetë si normalja që e dinim”
Erdoğan theksoi se bllokimet dhe kufizimet kanë ndihmuar shumë në luftimin e epidemisë dhe shtoi se pjesa më e madhe e vendit do të përballen me një bllokim tjetër këtë fundjavë që vjen.
“Sigurisht që gradualisht do të kthehemi në jetën normale, por nuk duhet të harrojmë realitetin që ashtu si në botë dhe në vendin tonë, asgjë nuk do të jetë si normalja që e dinim”, tha Erdoğan.
“Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë epidemia, apo kur do të gjendet shërimi ose medikamentet për të”, shtoi ai.
Erdoğan tha se “një normale e re” e pret vendin dhe se disa kufizime do të vazhdojnë, por në një formë më të lehtë.
“Universitetet do të jenë në gjendje të vazhdojnë kalendarin e tyre akademik më 15 qershor”, tha ai.
Presidenti theksoi se ka ende vende që luftojnë me virusin, kështu që është e pasigurt kur do të rifillojnë fluturimet ndërkombëtare.
Ai shtoi se nuk dihet se çka do të dalë nga trazirat në ekuilibrat globale ekonomike dhe politike.
Maskat në shitje
Si pjesë e procesit të normalizimit, Erdoğan tha se planifikojnë të lejojnë shitjen e maskave, gjë që u ndalua më parë, duke shtuar se do të përcaktohet një çmim standard.
Presidenti i Turqisë theksoi se që nga shfaqja e virusit, pothuajse 65 mijë qytetarë janë rikthyer në Turqi nga jashtë.
Turqia u ka ofruar ndihmë në përballjen me koronavirusin në së paku 57 shtete, përfshirë SHBA-në, Italinë, Spanjënë dhe Mbretërinë e Bashkuar, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia mbetet ofruesi i tretë më i madh në botë i ndihmës humanitare gjatë pandemisë.
Fraksion.com