Koronavirusi kthen gratë në kohët e vjetra
Nga Charlotte Potts
Lufta kundër pandemisë nënkupton kufizime dhe kërkon sakrifica nga shumë njerëz. Por ka një dallim në këtë pikë. Pasojat e pandemisë prekin gratë shumë më tepër se burrat.
Dëgjojmë këto ditë, se në krizën e Coronës të gjithë jemi të prekur njësoj. Virusi nuk di të diskrimonojë. Nuk është e vërtetë. Sigurisht që të gjithë kanë vështirësitë e tyre. Por karantina, kur ke një kopsht të madh dhe pishinë kalohet më mire, se sa në një apartament 60 metra katrorë. Grupet e rrezikuara duhet të mbrohen më shumë se ata pa sëmundje. Dhe gratë në këtë pandemi janë në disavantazh krahasuar me burrat.
Në një kohë që për një burrë nuk ndryshojnë shumë gjëra, për femrën pandemia do të thotë një kthesë të fortë të jetës. Ai, burri « hap » zyrën e shtëpisë mëngjeseve e ulet për të bërë punën e vet. Nganjëherë del në drekë, sepse ka sigurisht diçka për të ngrënë. Ndryshe AI punon si edhe më parë me kohë të plotë në « homeoffice ». Kështu e pret edhe punëdhënësi, shpesh ai fiton më shumë para, se AJO. Kështu automatikisht puna e tij është më e rëndësishme, ky është konkluzioni i përbashkët.
Rruga tek avokati për divorc
Ajo përkundër në këtë kohë luan me fëmijët e vegjël, u jep mësim fëmijëve në shkollë, pastron thërrimet e bukës në kuzhinë (pas disa javësh në shtëpi, ato gjenden në çdo të çarë), gatuan drekën, kur fëmijët flenë në drekë mban radhën në supermarket dhe në këtë kohë u jep përgjigje të gjitha E-maileve të punës. Pjesa tjetër e punës kryhet, kur fëmijët flenë. E në mbrëmje në fund vret mendjen, se pasi të kalojë pandemia rruga e parë që do të bëjë do të jetë ajo tek avokati për divorc.
Kështu duket “Homeoffice” e grave. Menaxhere, studiuese, dizajnere, gazetare e të tjera e të tjera përjetojnë këto ditë një kthim në vitet 50-të, me një ndryshim me gjyshet e tyre, se u duhet edhe të punojnë me orar të plotë. Këtë e dëgjoj këto ditë shpesh nga shumë mikesha të miat në Europë dhe SHBA.
Nuk më ikën ndjesia, se gratë me fëmijë në këtë krizë i kanë punët më keq, se burrat. Strukturat e krijuara me mundim, të ngritura nga vetë gratë, për një jetë në barazi, ku edhe ajo mund të punojë me orar të plotë -kopshte, shkolla, babysitter, gjyshër, pastruese – janë shkatërruar. Kështu gruaja pa dashur përmbush klishetë e vjetra mbi rolet e gruas. Përqëndrim tek puna edukuese dhe punët e shtëpisë, duke mbajtur peshën kryesore në një kohë që burri vazhdon si edhe më parë jetën.
Gratë goditen më keq nga kriza
Kjo nuk do të thotë, që nuk ka burra, që japin kontributin e tyre. Por nga ana strukturore që para krizës nuk është se ishin zgjidhur të gjitha çështjet e barazisë gjinore. E pandemia vetëm se e nxjerr këtë më shumë në pah.
Fakt është: Krizat i godasin gratë nga ana ekonomike e sociale gjithnjë më rëndë se burrat. E gratë në vendet e varfra akoma më shumë se ato në vendet perëndimore. Kështu ndodhi edhe pas epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore, edhe pas krizës globale financiare. Edhe këtë herë prognozat studimore të thonë, se më të prekur do të jenë femrat me rroga më të vogla, e të reja. Kombet e Bashkuara presin 15 milionë raste të dhunës familjare këtë vit. Për shkak se femrat shpesh punojnë në punë të rëndësishme për funksionimin e sistemit -infermiere, kujdestare pleqsh, shitëse -ato janë më të ekspozuara ndaj virusit se burrat.
Pa gratë nuk funksionon jeta
Kriza e bën edhe më të qartë: Pa gratë shumë gjëra të rëndësishme të jetës nuk funksionojnë. Dhe këtë gruaja duhet ta zbulojë si shans, që të bëjë të qartë, se çfarë arrin të bëjë ajo në kohën e krizës: Një herë e mirë ajo duhet të bëjë të qartë, se gjërat pa të nuk funksionojnë. Që ajo duhet të paguhet si duhet për punën e saj. Që në shtëpi për fëmijën duhet të kujdeset si babai edhe nëna. E sidomos që ajo të vlerësohet për këtë punë që bën. Të shpresojmë që këtë herë AI dhe politika ta dëgjojnë.
Kush nuk beson, që gratë në këto ditë transformohen në heroina, duhet të shkojë njëherë në azile pleqsh, spitale dhe supermarkete. Apo në vendet që qeverisen nga gratë. Në këto vende lufta kundër pandemisë së Coronës zhvillohet më mirë, se në vendet ku në krye është një burrë. A është kjo thjesht rastësi?/DW
Fraksion.com