AktualitetKosovaTë fundit

U hodh nga konvikti; Vdes një person në Qendrën e Studentëve në Prishtinë

Një person ka vdekur pasi u hodh nga njëri prej konvikteve të Qendrës së Studentëve në Prishtinë, konfirmojnë zyrtarët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Konfirmohet se personi ka vdekur si pasojë e lëndimeve të rënda që ka marrë pas hedhjes nga lartësia.

“Tek ne, pacienti ka ardhur i vdekur. Atë e ka sjellë ndihma e shpejtë dhe ekipi kujdestar në emergjencë e vetëm e ka konstatuar vdekjen. Lëndimet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda dhe kanë qenë vdekjeprurëse, pra, lëndime nga rënia prej lartësisë”, kanë thënë  burime nga spitali.

Më herët zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se të dielën, rreth orës 17:20, ekipet e emergjences dhe policia kanë shkuar te Qendra e Studentëve dhe një person është përcjellë me auto-ambulancë në drejtim të Klinikës Emergjente në QKUK.

“Njësitet e policisë dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do te sqarohen rrethanat tjera”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një komunikate, ka kërkuar nga organet e rendit “që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së këtij të riu 26 vjeçar”.

Në bazë të një vendimi të institucioneve të Kosovës, Qendra e Studentëve në Prishtinë është shëndruar në karantinë për personat që hyjnë në Kosovë.

Ky vendim është marrë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

 

Fraksion.com