AktualitetTë fundit

Lehtësohen masat shtrënguese; Edhe 18 bashki në listën e “zonave të gjelbra”; Rinis shërbimi taksi ndërqytetas

Plani i hapjes dhe lehtësimit të masave shtrënguese që u vendosën në kuadër të pandemisë së COVID-19, do të hyjnë në fuqi që nga dita e nesërme 4 maj, bashkë me rregullat dhe protokollet e sigurisë që duhen zbatuar nga të gjithë.

Konkretisht nga data 4 maj, plani i masave lehtësuese parashikon shtimin e “zonave të gjelbra” me 18 bashki të tjera, që konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

Listës së “zonave të gjelbra” u shtohen tashmë dhe Tropoja, Peqini, Gramshi, Kuçova, Skrapari, Maliqi, Kolonja, Selenica, Rrogozhina, Belshi, Cërriku, Ura Vajgurore, Berati, Poliçani, Devolli, Pusteci, Mallakastra dhe Vlora.

Pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar me jo më shumë se një person. Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim nga “e-Albania”.

Po ashtu, nga dita e nesërme, në të gjithë vendin do të lejohet shërbimi taksi për udhëtimet ndërqytetase, me deri dy pasagjerë, anëtarë të një familjeje.

Ndërsa për sa i takon të riatdhesuarve, ata që janë me banim në “zonat e kuqe” do të vetëkarantinohen në banesë.

Strategjia e rihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese. Tri të hënat e ardhshme do të shoqërohen me lehtësime javë pas jave, por ndërkohë autoritetet kanë paralajmëruar se ky plan do të ndryshojë, nëse dinamika e epidemisë ndryshon negativisht.

Sipas Coronavirus Worldometer, rezulton se vendi ynë ka numrin më të ulët të jetëve të humbura në Europë dhe rajon nga COVID-19 për 1 milionë banorë.

 

Fraksion.com