Importohen mbi 12 milionë euro mallra nga Serbia
Që nga heqja e masës së taksës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës në detyrë dhe vendosjes së masës së reciprocitetit, prej datës 1 prill e deri më 26 prill të këtij viti, “janë importuar mallra në vlerë prej 12.4 milionë euro nga Serbia, ndërkaq importet e lëndës së parë kapin vlerën prej 3.5 milionë euro”, njoftoi përmes një komunikate për medie, Ministria e Financave dhe Transfereve në raportin e saj përmbledhës për zbatimin e masave të reciprocitetit.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, “në të gjitha rastet ku është vërejtur ndonjë emërtim apo denominim provokues, mallrat janë kthyer mbrapa në Serbi dhe nuk janë lejuar të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe është evidentuar një rast i tillë dhe mauna së bashku me mallrat është kthyer në Serbi”.
Nga importi i këtyre mallrave, sipas Doganës së Kosovës, janë mbledhur taksa në vlerë prej mbi 1 milion euro.
Ndërkaq, nga Kosova në Serbi, janë eksportuar mallra në vlerë prej 0.7 milion euro.
Ministria e Financave dhe Transfereve në komunikatën e saj ka potencuar edhe sfidat gjatë zbatimit të masave të reciprocitetit.
“Gjatë datave 21 dhe 22 prill pala serbe në mënyrë sporadike nuk ka lejuar kalimin e maunave me mallra nga Kosova në Serbi apo edhe atyre të zbrazët përmes PKK-ve në Merdare, Jarinje dhe Bërnjak. Pas reagimit të instancave përkatëse qeveritare pranë BE-së këto masa janë tërhequr nga pala serbe dhe nuk ka raportime për përsëritjen e tyre”, është thënë në komunikatën e kësaj ministrie.
Fraksion.com